Bota

Arrestohet 43-vjeçari në Australi, vrau 98 kangurë me armë zjarri!

Një burrë është akuzuar për mizori ndaj kafshëve pasi dyshohet se ka qëlluar dhe vrarë 98 kangurë në Australi. Trupat e kafshëve, së bashku me kutitë e municionit dhe gëzhojat e harxhuara, u gjetën pranë qytetit Singleton në Luginën Hunter. Në një deklaratë policia australiane tha se një 43-vjeçar u arrestua dhe u akuzua për gjashtë vepra, duke përfshirë kryerjen e një akti të mizorisë së rënduar ndaj kafshëve dhe dëmtimin e një kafshe të mbrojtur.

43-vjeçarit iu dha lirimi i rreptë me kusht për t’u paraqitur në gjykatë më 13 janar. Deklarata e policisë nuk zbuloi motivet e mundshme të të dyshuarit. Ndërkaq, miliona kangurë të Australisë mund të ngordhin nëse rritja e popullsisë së tyre nuk kontrollohet, kjo sipas një paralajmërimi të ekspertëve të kafshëve të egra dhe grupeve mjedisore, disa prej të cilëve kanë bërë thirrje për një vrasje masive të marsupialëve. Një simbol i Australisë, kangurët janë një problem i madh mjedisor për vendin për shkak të riprodhimit të tyre të shpejtë. Numri i tyre mund të arrijë në dhjetëra miliona. Ekologia Kathryn Mosby tha për AFP se:

Gjatë thatësirës së fundit, ne vlerësuam se 80% deri në 90% e kangurëve po ngordhnin në zona të caktuara. Ata shkojnë në tualete publike dhe hanë letër higjienike. Ose shtrihen në rrugë, ndërsa të rinjtë e tyre përpiqen të ushqehen.

Sipas Mosby, vrasja e kangurëve do të ishte një mënyrë e mirë me më pak dhimbje dhe një mënyrë për kontrolluar popullsinë e tyre. Qeveria australiane mbron kangurët, por ata nuk janë në rrezik zhdukjeje. Kjo do të thotë se gjuetia e tyre, është e lejueshme në pjesën më të madhe të vendit.