Fshihej në një resort 1000 euro nata në Vietri sul Mare, në provincën e Salernos, ku karabinierët italianë e gjurmuan. Kjo i dha fund statusit të të arratisurit për Roberto Mazzarella-n, kreut të klanit me të njëjtin emër që sundonte Napolin dhe provincat.
48 vjeçari i cili nuk bëri rezistencë, ishte në listën e të arratisurve shumë të rrezikshëm të Ministrisë së Brendshme. Mazzarella rezultonte i arratisur që nga 28 janari 2025 dhe i kishte shpëtuar kapjes, pas një urdhri paraprak arresti të lëshuar nga Gjykata e Napolit me kërkesë të Drejtorisë Antimafia, me akuza për vrasje në stilin mafioz.
I katërti në listën e të arratisurve më të rrezikshëm të përcaktuar nga Ministria e Brendshme, ai akuzohet si autor dhe nxitës i vrasjes së një të pafajshmi.
Antonio Maione u ekzekutua me armë zjarri në një dyqan ushqimor në Napoli, më 15 dhjetor 2000, pasi ishte vëllai i killerit me pagesë që vrau Salvatore Mazzarellën, babanë e Robertos.
Hakmarrja ndodhi në San Giovanni a Teduccio, një periferi lindore e qytetit dhe fortesa historike e klanit. Autorët dhe porositësi u identifikuan 24 vjet më vonë me urdhër-arrestin e lëshuar për Roberto Mazzarellën, më 28 janar 2025.
Në atë rast, bosi mafioz arriti t’i shpëtonte kapjes. Arratia i zgjati pak më shumë se një vit dhe përfundoi me arrestimin e tij në Vietri sul Mare.
I arratisuri 48-vjeçar u gjet në një vilë luksoze në Bregun e Amalfit, ku ishte regjistruar me emër të rremë, për të kaluar Pashkën me familjen.
Në vendpushimin ku qëndronte, karabinierët gjetën tre ora luksoze, rreth 20,000 euro, dokumente të falsifikuara, telefona celularë e dorëshkrime që lidhen me një sistem të mundshëm kontabiliteti, që do të hetohet.
Arrestimi u krye nga karabinierët e Njësisë Hetimore të Komandës Provinciale të Napolit, e koordinuar nga Drejtoria Antimafia. Skuadroni “Cacciatori di Calabria”, grupi i anijeve patrulluese italiane (API) i Napolit dhe një anije patrulluese nga Autoriteti Portual i Salernos, gjithashtu morën pjesë në operacion.