Policia konfirmoi se ish-duka u arrestua nën dyshimin për veprën penale të “sjelljes së keqe në detyrën publike”, ndërsa më vonë u fotografua duke dalë nga një stacion policie pas lirimit. “I arrestuari është liruar tashmë”, thuhej në deklaratën zyrtare të autoriteteve.
Sipas policisë, kontrollet e kryera në Norfolk kanë përfunduar, ndërsa hetimet dhe kërkimet në Berkshire vijojnë.
Arrestimi i tij ndodhi në ditën e lindjes, kur Andrew Mountbatten-Windsor mbushi 66 vjeç, duke u bërë një nga rastet më të rralla që përfshin një anëtar të lartë të familjes mbretërore britanike në histori moderne.
Bastisja e autoriteteve erdhi pas publikimit të disa email-eve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, të cilat dyshohet se tregojnë se ish-duka kishte ndarë raporte nga vizita zyrtare në Hong Kong, Vietnam dhe Singapor.
Një nga email-et, i datës nëntor 2010, thuhet se është përcjellë nga Andrew vetëm pak minuta pasi ishte dërguar nga këshilltari i tij i atëhershëm special. Ndërsa një tjetër mesazh, i dërguar në prag të Krishtlindjes së vitit 2010, dyshohet se i referohej një dokumenti konfidencial mbi mundësitë e investimit në rindërtimin e provincës Helmand në Afganistan.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme mbi akuzat e mundshme, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.