Bota

Rasti Epstein: Bill Gates anulon pjesëmarrjen në samitin e Inteligjencës Artificiale në Indi!

Bill Gates nuk do të jetë në New Delhi, Indi, për samitin e rëndësishëm të Inteligjencës Artificiale. Vendimi thuhet se është marrë për shkak të zbulimeve të reja në rastin Epstein: në dokumentet e publikuara, emri i themeluesit të Microsoft shfaqet disa herë në dosjet e ish-financierit dhe abuzuesit seksual.

Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe për të siguruar që fokusi të mbetet në prioritetet kryesore të samitit të Inteligjencës Artificiale, Bill Gates nuk do ta mbajë fjalimin e tij, njoftoi Fondacioni Gates në një deklaratë, duke shtuar se një zyrtar tjetër i lartë nga gjigandi i teknologjisë, presidenti i degëve të Afrikës dhe Indisë, do të flasë në vend të tij dhe do të riafirmojë angazhimin e organizatës ndaj programeve të shëndetit dhe zhvillimit në Indi.

Kryeministri indian Narendra Modi dhe drejtues të industrisë së teknologjisë do të marrin pjesë në samitin e Nju Delhit për të diskutuar mundësitë dhe rreziqet e Inteligjencës Artificiale. Vetë Gates deklaroi së fundmi se ndihet i penduar për çdo minutë që kaloi me Epstein-in.

Ndërkaq, ish-gruaja e tij, Melinda French Gates, tha se mbeten pyetje në lidhje me marrëdhënien midis dy burrave. Në një tjetër zhvillim të bujshëm të lidhur me rastin Epstein, më herët u njoftua arrestimi nga policia britanike i ish-princit Andrew.