Rajoni

Arrestohet një person nën dyshimet për krime lufte në Kosovë!

Autoritetet në Kosovë njoftuan se është arrestuar një person i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë. Prokuroria Speciale e identifikoi të arrestuarin me inicialet R.D., por nuk dha hollësi të tjera për këtë rast.

R.D. është ndaluar nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë, deklaroi Prokuroria Speciale.

Ky institucion shtoi se së bashku me Policinë e Kosovës po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për këtë rast. Kohët e fundit, Prokuroria Speciale ka ngritur disa akuza për krime që janë kryer gjatë luftës më 1998-99.

Në muajin gusht, madje dorëzoi në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri më 2008-ën, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, EULEX-i dorëzoi çështjet në Prokurorinë e Kosovës dhe gjykatat vendore. Gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitet 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë ende të zhdukur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.