Policia serbe arrestoi një person në Merdare, pikëkalimin kufitar me Kosovën, nën dyshimin për “krime lufte” gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitet 1998-’99, siç njoftuan sot autoritetet serbe. Ministria e Brendshme e Serbisë nuk e bëri të ditur kombësinë e të dyshuarit, por e identifikoi me inicialet H.H, 77 vjeç.
Sipas njoftimit, dyshohet se në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], vrau me armë zjarri një civil serb.
Nuk është e qartë se kur u arrestua, por ministria serbe tha se u dërgua në qeli për 48 orë dhe se ndaj tij do të ngrihen akuza. Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës për ta pyetur nëse është në dijeni për arrestimin në Merdare.
Arrestimi vjen rreth një muaj pasi autoritetet serbe prangosën dy persona në pikën kufitare mes Serbisë e Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin kryer krime lufte kundër popullsisë civile.
Ata u arrestuan në periudhën kur autoritetet serbe i kanë shpeshtuar ndalimet e shqiptarëve, të cilët i akuzon se kanë bashkëpunuar apo kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, apo për arsye të tjera. Më 22 korrik, arrestuan Lulzim Halilin, nën dyshimet se ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Organizata e veteranëve të UÇK-së, e hodhi poshtë këtë pretendim.
UÇK-ja ishte forcë politiko-ushtarake që ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999. Muajin e kaluar u ndalua edhe Behar Preniçi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë e Serbisë. Akuza ende nuk është bërë publike.
Këto arrestime, autoritetet e Kosovës i kanë konsideruar gjithmonë si arbitrare duke kërkuar lirimin e tyre. Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë Juridike, më 2013-ën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.