Sport

Arsene Wenger analizon “El Clasico”-n: Ishte sikur ndesheshin një ekip burrash kundër një ekip fëmijësh!

“El Clasico” është ndeshja më e ndjekur e vitit dhe sytë e të gjithë futbolldashësve ishin në “Santiago Bernabeu”. Një ndeshje në të cilën Real Madridi mori tre pikët dhe mundi Barçën pasi skuadra e Flick kishte fituar të katër ndeshjet e luajtura vitin e kaluar.

Në terma futbolli, Real Madrid arriti të mbizotëronte ndaj katalanasve. Arsene Wenger, ish-trajneri legjendar i Arsenalit, analizoi ndeshjen, duke deklaruar se skuadra e Xabit ishte shumë më superiore:

“El Clasico ishte si një duel midis burrave dhe fëmijëve. Mbrojtja e Real Madridit ishte shumë më e fortë se ajo e Barcelonës. Në sulm, Madridi gjithmonë dukej i aftë të shënonte, ndërsa Barcelona dukej joefektive. Ata e mbanin shumë topin, por kurrë nuk dukeshin vërtet të aftë të shënonin.”

Venger tha gjëra të mira për Madridin dhe nuk i pëlqeu ajo që pa nga Barça. Ai gjithashtu pati kohë të lavdëronte Xabi Alonson, duke e siguruar atë se projekti i tij ka një të ardhme të mirë:

“I jap merita, ai e ekuilibroi mirë skuadrën e tij”, përfundoi ish-trajneri.

Sfida e transmetuar drejtpërdrejt në DigitAlb nisi me një vrull tepër të lartë, me Mbappe që realizoi një supergol në minutën e 12’, por pas një ndërhyrjeje të VAR-it, goli u anulua për pak centimetra pozicion jashtë loje. Pas 10 minutash, ishte sërish Mbappe që shënoi, kësaj radhe mëse i rregullt, duke shpërthyer festën në “Bernabeu”. Katalanasit reaguan mjaft mirë, duke rikthyer baraspeshën në minutën e 38’ me anë të Fermin Lopezit, rezultat që zgjati vetëm pak. Pas 5 minutash ishte Bellingham që kaloi sërish në avantazh madrilenët.  Në fundin e pjesës së parë, Mbappe gjeti sërish rrjetën, por kësaj radhe pozicioni ishte dukshëm i parregullt. Francezi pati sërish rastin për të sjellë qetësi në radhët e “Los Blancos”, por gaboi nga pika e bardhë në të 52’.