Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Associated Press: Socialistët në epërsi në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri!

Associated Press

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri tregojnë se Partia Socialiste në pushtet është në epërsi, teksa votuesit kanë mbështetur përpjekjet e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe kandidaturën e kryeministrit aktual, Edi Rama, për një mandat të katërt. Me rreth 25% të votave të numëruara, socialistët e majtë të Ramës kanë siguruar 53% të votave, ndërsa koalicioni opozitar i djathtë, i udhëhequr nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha, ka marrë 35.

Këto përqindje u japin socialistëve së paku 71 mandate të nevojshme për të qeverisur të vetëm dhe sipas gjasave, edhe më shumë se në mandatin e kaluar. Pjesëmarrja paraprake në votimet e djeshme ishte rreth 42.16% ose 4% më pak se katër vjet më parë.

Rreth 3.7 milion qytetarë me të drejtë vote në Shqipëri dhe jashtë saj votuan për të zgjedhur 140 deputetë për një mandat katërvjeçar. Për shkak të emigracionit të lartë, vendi me 2.8 milion banorë ka një numër më të madh të votuesve të regjistruar. Për herë të parë, rreth 191.000 shqiptarë të diasporës kishin mundësinë të votonin me postë.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se procesi i votimit ka qenë në përgjithësi i qetë, me disa parregullsi të izoluara që përfshinin kandidatë dhe mbështetës të tyre, por që nuk pritet të ndikojnë në rezultat.

Procesi, në tërësi, përveç rasteve sporadike, ka qenë në përputhje me rregullat dhe standardet.

Partia Socialiste ka premtuar se do të sigurojë anëtarësimin në BE brenda pesë vjetësh duke përfunduar negociatat deri në vitin 2027 dhe pritur miratimin e 27 vendeve anëtare deri më 2030-ën, një objektiv ambicioz përballë kundërshtarëve konservatorë e premtimeve të tyre për rritje pagash.

Rama, 60 vjeç, i cili siguroi hapjen e negociatave për anëtarësim në BE në tetor të vitit të kaluar, ka theksuar arritjet në infrastrukturë dhe reformën në drejtësi gjatë fushatës së tij. Socialistët synojnë të përshpejtojnë zhvillimin e turizmit duke e rritur numrin e vizitorëve të huaj nga 10 milion në vitin 2024, në 30 milion deri në vitin 2030, përmes zgjerimit të projekteve infrastrukturore. Rama ka premtuar edhe rritje pensionesh e pagash.

Kundërshtari kryesor i Ramës është Sali Berisha, 80 vjeç, ish-president dhe ish-kryeministër, i cili argumenton se Shqipëria ende nuk është gati për anëtarësim në BE. Berisha zhvilloi një fushatë që ngjasonte me atë të presidentit amerikan, Donald Trump, duke angazhuar edhe një nga këshilltarët e tij kryesorë për fushatë.

Më shumë se 570 vëzhgues ndërkombëtarë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe Këshilli i Europës ndoqën zgjedhjet, duke theksuar rëndësinë që bashkësia ndërkombëtare i kushton një procesi zgjedhor të besueshëm e transparent.