Aktualitet

Audio-përgjimi, Biba:”Nuk e shantazhova Biankun”

Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një deklaratë për mediat pak çaste më parë, pranoi se biseda që ka zhvilluar me gjyqtarin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledio Bianku, ka qenë “qasje e papërshtatshme”. Por Denar Biba tha se nuk bëhet aspak fjalë për shantazh. “E vërteta do të zbulohet vetëm kur të publikohet audio e plotë. Siç tha vetë Gjykata e Strasburgut, unë kam takuar gjyqtarin dhe i kam kërkuar që të na asistonte në lidhje me një kërkesë të shtetit tonë për të mundësuar shtyrjen e afatit të ekzekutimit të një vendimi që në atë kohë, kur qeveria sapo ishte krijuar, do të vinte në pozitë shumë të vështirë financat. Bianku e ka konsideruar bisedën me mua si qasje të papërshtatshme. Gjykata pranon referimin e anëtarit të saj për qasje të papërshtatshme, por jo për ndikim dhe aq më pak për shantazh”, shpjegoi Biba.  Ai konfirmoi hapat që do të ndjekë më tej për çështjen e audio-përgjimit.

Ndërkaq i menjëhershëm ishte reagimi i Partisë demokratike. Deputetja  Jorida Tabaku deklaroi se: “Qeveria shqiptare dërgoi zotin Biba si “messenger” për çështjet e pronës bë Strasburg. PD ka informuar gjykatën e Strasburgut për vendimet arbitrare të qeverisë në lidhje me pronat. Qeveria Rama është angazhuar për shpronësimin e dytë të pronarëve, duke bërë pronarët e rinj. Që nga viti 2014, Rama nuk ka zbatuar vendimin për kompensimin e pronave. Është përpjekur për të eliminuar pronarët nga kompensimi fizik. Miratoi ligjin për investime strategjike që i jep shtetit autoritet për të ndërhyrë mes pronarëve dhe investitorëve strategjikë”, tha Tabaku. Sipas opozitës, Qeveria e Kryeministrit Rama është e anagzhuar thjeshtë në shpronësimin e pronarëve.