Karlos Alkaraz, numri një i botës, bëri daljen e dytë në “Australian Open 2026”, kompeticioni i parë grand slam i sezonit. Spanjolli kërkonte vështirësi që ta ndihmonin të kuptonte nivelin e tij real për fazat vendimtare të turneut, aty ku fitohen titujt. Janik Hanfman, numri 102 i renditjes ATP, iu përgjigj kësaj sfide dhe e vuri Alkarazin në telashe që në fillim të ndeshjes. Megjithatë, spanjolli tregoi pjekuri dhe forcë mentale, duke përballuar momentet e vështira dhe duke u kualifikuar për herë të katërt në karrierë në raundin e tretë të “Australian Open”. Ai fitoi me rezultatin 7- 6(4), 6-3, 6-2, pas 2 orësh e 43 minutash lojë. Ka gjëra që nuk ndryshojnë: “Carlitos” vazhdon të zgjedhë pritjen e shërbimit sa herë fiton shortin.
Kjo zgjedhje e vuri menjëherë nën presion, pasi u përball me një pikë “break” që në radhën e parë të shërbimit. Hanfman lexonte shumë mirë shërbimin e kundërshtarit, ndërsa Alkaraz ishte i pasaktë nga vija e fundit. Skenari nuk ndryshoi dhe murciani pësoi thyerje shërbimi pas një dopio faulli me shpejtësi 155 km/h. Rezultati shkoi në 3-1 për gjermanin, i cili po godiste më pastër dhe me më shumë besim. Alkaraz kishte ende hapësirë për rikthim dhe reagoi menjëherë.
LEXO EDHE: Toni Kros rikujton të kaluarën: Viti 2019 i Realit ishte për t’u hedhur në plehra, por…
Një “forehand” fitues riktheu baraspeshën, shoqëruar me një britmë të fuqishme “vamos” nga numri një i botës. Nga një 4-1 i mundshëm në disfavor të tij, rezultati kaloi në 3-3. Tifozët, që përballonin vapën në “Rod Laver Arena”, duartrokitën guximin e Hanfman. Gjermani luante gjithçka ose asgjë, dhe në disa momente kjo strategji funksiononte. Gjermani e çoi setin në “tie-break” dhe madje pati avantazhin 4-3 me shërbimin në dorë.
Në momentin e presionit maksimal, Alkaraz nxori në pah tenisin e tij më të mirë. I duhej patjetër për të mos humbur setin e parë të turneut. Ai e fitoi setin pas 78 minutash lojë, por ishte fizikisht i freskët falë dy ditëve pushim para kësaj sfide. Më pas, niveli i Alkarazit u rrit ndjeshëm, ndërsa Hanfman uli ritmin e çmendur deri në kufijtë e lodhjes. Gjermani u detyrua të kërkonte ndihmën e fizioterapistit për probleme në zonën abdominale. Edhe pse nuk u tërhoq, sepse askush nuk dëshiron ta bëjë këtë në një skenë të madhe përballë një super-rivali, Hanfman ishte dorëzuar mendërisht. Tani Alkaraz pret përballjen me Korentin Moutet (nr.32), i cili u kualifikua pas tërheqjes së amerikanit Mikael Zheng, sfidë që do të luhet në orët e para të mëngjesit të së premtes.