Bota

Austri, 5 viktima nga ortekët e borës!

U rrit në pesë, numri i skiatorëve të vrarë nga ortekët e ditëve të fundit në Austri. Shifrën e fataliteteve e konfirmuan burime zyrtare policore. Dy persona u gjetën të vdekur dje, pas një rrëshqitjeje në resortin perëndimor të skive Saint Anton am Arlberg.

Viktimat u nxorën nga dëbora, por nuk mundën të shpëtoheshin, raportoi një zëdhënës i policisë.

Nga tre të tjerët që u shpëtuan fillimisht me lëndime, një ndërroi jetë më vonë në spital. Zyrtarët nuk ishin menjëherë në gjendje të jepnin detaje në lidhje me moshën ose kombësitë e viktimave.

Në Klosterle, në provincën e Vorarlberg, një zviceran 39-vjeçar vdiq ndërsa bënte snowboard në një shpat të pjerrët me një gjerman 47-vjeçar. 39-vjeçari provokoi rënien e një pllake dëbore duke u rrëmbyer për rreth 250 metra. Shoku i tij mbeti i padëmtuar.

Më parë, një skiator gjerman 42-vjeçar u vra nga një ortek në zonën e skive Nauders, në Tirol.

Ishte duke bërë ski jashtë pistës me djalin e tij 16-vjeçar, i cili mbijetoi me lëndime të rënda, njoftoi policia.

Deri në 40 centimetra dëborë kanë rënë në disa pjesë të Tirolit ditët e fundit. Autoritetet austriake paralajmëruan se kushtet e ortekëve mbeten të rrezikshme.

Më shumë se 30 ortekë u regjistruan në Tirol vetëm të mërkurën e datës 18 shkurt.