Pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u mori i pandehur, avokatët e tij i kërkojnë SPAK-ut zgjatjen deri më 24 shtator të afatit për njohjen me përmbajtjen e plotë të akteve dhe provave mbi të cilat ngrihet akuza. Nisur nga volumi i madh i materialeve hetimore, mbrojtja e Veliajt thotë se ndodhen në pamundësi objektive për t’u njohur në mënyrë efektive me përmbajtjen e plotë të provave dhe akteve brenda 10 ditëve, ashtu siç e parashikon ligji, në mënyrë që më pas të paraqesin kundërshtimet.
Në kërkesën drejtuar SPAK-ut, avokatët e Veliajt theksojnë se “10 ditë nuk janë të mjaftueshme për të kryer një lexim të thjeshtë, pa analizë profesionale apo përpunim juridik të të gjitha materialeve”. Avokatët shtojnë se “situata rëndohet më tej nga fakti se jemi në fund të muajit korrik dhe periudha e muajit gusht është periudhë e reduktuar pune për organet e drejtësisë, përfshirë gjykatat, prokuroritë dhe avokatët”.
Kjo e bën praktikisht të pamundur përgatitjen e një mbrojtjeje efektive dhe të barabartë (prokuroria ka pasur 2 vite në dispozicion), ashtu siç garantohet nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili kërkon që të pandehurit të kenë kohë dhe mundësi të mjaftueshme për t’u mbrojtur, thuhet në kërkesë.
Ky disproporcion mes afatit procedural dhe volumit të materialeve është një cenim thelbësor i të drejtës për mbrojtje efektive dhe për proces të rregullt ligjor, që e zhvlerëson të gjithë garancinë procedurale që Kodi i Procedurës Penale dhe Konventa synojnë të mbrojnë. Kjo lloj “përmbytjeje dokumentare” është një formë abuzimi strukturor me të drejtën e mbrojtjes, që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka konsideruar të papranueshme në disa vendime, kur volumi i materialeve i bën të pavlefshme në praktikë garancitë procedurale që duken formalisht të respektuara.
Veliaj u mor i pandehur më 24 korrik për korrupsion, pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe futje të sendeve në burg. Akuzat iu komunikuan në mjediset e paraburgimit të Durrësit.