Aktualitet

Balluku, Këshilli i Imunitetit mblidhet më 23 shkurt për kërkesën e arrestimit nga SPAK!

Këshilli i Imunitetit do të mblidhet më 23 shkurt në orën 10:00 për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

Socialistët janë shprehur se do të prisnin zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe botimin e tij në Fletoren Zyrtare.

Kushtetuesja nuk arriti dot shumicën për rastin e Ballukut, duke u ndarë 4-4, çka bëri që kërkesa e kryeministrit Edi Rama të rrëzohej, ndërsa mbeti në fuqi vendimi i marrë nga GJKKO në muajin nëntor, për pezullimin nga detyra të Balluku, e marrë e pandehur, për shkelje të barazisë në tenderë për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe.

Në mbledhjen e grupit të PS, kryeministri Edi Rama bëri me dije se Belinda Balluku i ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen, por ai ia ka refuzuar.

LEXO EDHE: Popullsia mbi 65 vjeç, Shqipëria me rritjen më të fortë në Europë nga 2015-ta më 2025-ën!

“Belinda Balluku ma ka dorëzuar tri herë dorëheqjen. I kam atje në dosje, tri herë. Një herë kur iu ngrit akuza, hera e dytë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim dhe tri herë e kam refuzuar unë dorëheqjen. Dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv, nuk ka”, theksoi Rama.

Shefi i qeverisë tha se Këshilli i Mandatave do të shprehet për kërkesën e SPAK për arrestin e Ballukut para se të kalojnë për votim në Kuvend drafti me ndryshimet ligjore të propozuara sot.

LEXO EDHE: Gazment Bardhi: Rama po ndërhyn për të mbrojtur Ballukun! Pezullimi është masë ligjore, jo sulm ndaj qeverisë!