Aktualitet Politikë

“Balluku”, kryeministri Rama: Çështje e mbyllur!

Kryeministri Edi Rama e konsideron “të mbyllur” çështjen Balluku, pas një debati të gjatë në Kuvend, lidhur me kërkesën e SPAK-ut për të autorizuar heqjen e lirisë deputetes socialiste. Në podcast-in, “Flasim”, Rama deklaroi:

Çështja e deputetes Balluku, sipas nesh, është një çështje e mbyllur. Kuvendi e trajtoi me shumë përgjegjësi dhe nuk e autorizoi kërkesën, duke vlerësuar se kjo kërkesë ishte pjesë e një praktike të zgjatur që nuk mund të vazhdojë pafundësisht.

Rama shtoi se deputetët janë të barabartë përpara ligjit dhe mund të hetohen nëse ka arsye për hetim, por sipas tij, liria e tyre nuk mund të kufizohet vetëm me teori të përgjithshme apo me pretendimin se prokurorët dhe gjykatësit bëjnë çfarë të duan.

Deputeti është i barabartë përpara ligjit, kjo nuk diskutohet. Si çdo shtetas tjetër mund dhe duhet të hetohet nëse ka arsye për hetim, por liria e deputetit si e çdo shtetasi tjetër, nuk mund të kufizohet thjesht dhe vetëm me fjalë të përgjithshme apo me teorinë që prokurori dhe gjykatësi janë të pavarur e ata bëjnë çfarë të duan.

Ata nuk mund të bëjnë çfarë të duan kur trokasin në derën e Kuvendit dhe Kuvendi nuk mund të bëjë sikur nuk shikon, sikur nuk dëgjon, sikur nuk mendon dhe të refuzojë të kryejë rolin e tij, duke praktikisht mbrojtur dinjitetin e tij, dinjitetin e parlamentarëve të Republikës së Shqipërisë që nuk mund të trajtohen si fajtorë pa qenë të shpallur të tillë nga gjykata dhe nuk mund të kufizohen në lirinë e tyre pa pasur asnjë kusht që të çon në këtë drejtim.

Kryeministri theksoi edhe se deputetja nuk ushtron më asnjë funksion ekzekutiv.

Arresti si masë sigurie, duhet të jetë gjithmonë mjeti i fundit, jo i pari.

Teksa përmendi angazhimin e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, theksoi se progresi në këtë drejtim, nuk duhet të pengohet nga keqkuptimet apo presionet politike.

Në votimin në seancën parlamentare të 12 marsit, Kuvendi rrëzoi me 82 votat e maxhorancës, kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit, deputetes Belinda Balluku dhe hapjen e rrugës për arrestimin e saj.