Balotazhi për zgjedhjet vendore në 18 komuna të Kosovës, pjesëmarrja vazhdon e ulët. Deri në orën 13:00 kanë votuar vetëm 13,05% e mbi 1 milion qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, votoi në Prishtinë, nga ku iu bëri thirrje qytetarëve të dalin për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. “Shpresoj që secili prej qytetarëve me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe do të dalë në votime”, tha Osmani për mediat.
Presidentja Osmani vuri në dukje se Kosova “ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon”. Sipas kryetares së shtetit, kjo është për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve, rregullsisë së proceseve zgjedhore dhe për arsye se siç nënvizoi, gjithmonë organizojnë zgjedhje të lira e demokratike.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u kritikua pasi fotografoi e më tej postoi në rrjetet e tij sociale një aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Sveçla, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, në videot e postuara në rrjetet sociale dëgjohet duke i thënë aktivistit se nuk i lejohet të qëndrojë përreth një qendre votimi në Prishtinë, duke mbajtur me simbole të partisë.
Aktivisti iu përgjigj se ndodhej jashtë rrethimit të qendrës së votimit dhe në video mund të shihet duke qëndruar në trotuar. Sveçla postoi dy foto të aktivistit në fjalë në Facebook, ku shkroi:
‘Institucionalistët’ në shkelje të ligjit për zgjedhjet para qendrës së votimit me simbol partiak. Panik!
Ndaj veprimit të Sveçlës reagoi LDK-ja, që e dënoi veprimin e tij si “të papranueshëm, arrogant dhe kërcënues”.
Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z.Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike.
Sipas rregullave zgjedhore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, hapësira e qendrave të votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës përfshin vetëm pjesën e brendshme të qendrës, deri në rrethinat e saj.