Qytetarët në 18 komuna të Kosovës po votojnë për të zgjedhur kryetarët. Mbi 1 milion persona kanë të drejtë vote. Qendrat e votimit të hapura në orën 07:00, mbyllen më 19:00.
Balotazhi zhvillohet në 18 nga 38 komuna, pasi nuk arritën ta zgjedhin kryetarin në raundin e parë, më 12 tetor. Në këtë raund, gara shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal, por edhe si tregues i prirjeve të ardhshme në skenën qendrore.
Komunat në balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha e Kllokoti.
Gara për kryeqytetin, Prishtinë, merr vëmendjen kryesore. Për më shumë se një dekadë, kryeqyteti ka qenë simbol i rivalitetit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Sot përballen Përparim Rama i LDK-së dhe Hajrullah Çeku i LVV-së. Në raundin e parë, diferenca mes tyre ishte vetëm 0.5%.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, njoftoi se votimi në të 18 komunat nisi në kohë.
Materiali zgjedhor dhe fletëvotimet janë shpërndarë me kohë në orët e hershme të mëngjesit në të gjitha qendrat e votimit.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njoftoi se ka angazhuar rreth 80 prokurorë dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial për mbarëvajtjen e procesit të votimit.
Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, votoi në mëngjes në një qendër votimi në Prishtinë, duke i cilësuar votimet në balotazh si “ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë”.
Ju bëj thirrje gjithë qytetarëve me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë rastin dhe të bëhen pjesëmarrës e vendimmarrës për kryetarët e komunave dhe kësisoj për katërvjeçarin në vijim për ata si banorë të komunave të Republikës.