Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur deklaratave të Taulant Ballës i cili i kërkoi të dorëzojnë mocion mosbesimi për qeverinë. Bardhi i tha Ballës se nuk i sugjeron ai aksionet e grupit të PD, duke shtuar me ironi se e vetmja gjë që mund të sugjerojë është miratimi i ndonjë ligji që favorizon Artur Shehun, pronarin e tokave ku do të ndërtohet resorti në Zvërnec.
“Aksionet e grupit të PD në kuvend nuk i sugjeron Balla, e vetmja gjë që sugjeron Balla është të miratojë ligj për ti dhënë favor Artur Shehut dhe grupeve kriminale në vend. Çdo lëvizje e PD duhet të jetë realiste dhe mos të bëhet për shoë politik. E sigurt është që Balla është kreu i grupit, në një grup ku gjysma e grupit e urren për shkak të sjelljes së tij në raport me deputetët. Imagjinoni tani urrejtjen që kanë shqiptarët”, tha Bardhi. “Ne dëgjojmë qytetarët dhe përcjellim shqetësimet e tyre. Nuk jemi ne si ju, që çdo ditë fshiheni pas vrimës së çelësit dhe denigroni vajza e gra që protestojnë.
Po lini nam. Ti, Ulsi, qesh sepse sheh makinat e emigrantëve, por nuk sheh makinat tuaja. Ajo që po bëni është skandaloze dhe detyra jonë është t’i dëgjojmë qytetarët. Këtë po bëjmë ne, dëgjojmë zërin e tyre dhe përdorim çdo instrument që kemi në dorë për të përcjellë shqetësimet dhe kërkesat e tyre. A e kuptoni se në çfarë absurditeti jeni? Njëzet deputetë të Parlamentit Europian flasin për protestën në Shqipëri, ndërsa askush nga ju nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë. Por ju nuk keni kohë për këtë, sepse jeni duke përgjuar pas vrimës së çelësit për të sulmuar protestuesit”, shtoi Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se Kuvendi është i vetmi që s’i ka kushtuar vëmendje protestave në Tiranë, ndryshe nga institucionet europiane. Më tej, tha se rrëzimi i tri kërkesave të PD për mocionin me debat për protestën dhe raportin e PE nga mazhoranca u bënë pa argument.
“Është fakt i njohur botërisht që protesta e qytetarëve shqiptarë ka marrë vëmendjen e disa parlamenteve europiane. Ka marrë vëmendjen e eurodeputetëve në seancën e fundit të PE. I vetmi parlament në rruzullin tokësor që s’i ka kushtuar vëmendje, është parlamenti i Shqipërisë. Grupi parlamentar i PD ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë urgjente në raport me shqetësimet e qytetarëve nëse i ka marrë në konsideratë, së dyti për rolin që do të duhet të luajë në adresimin e tyre dhe gjithashtu ka dorëzuar një mocion me debat për raportin që cakton detyrat e shtëpisë. Kjo rezolutë do të duhej të ishte që nga dita 1 plani ynë i punës. Të tria kërkesat janë rrëzuar sot pa argument dhe me fjalët se po bëjmë zëdhënësin e protestuesve”, tha Bardhi.