Health & Beauty Lifestyle

Dobësohesh shpejt… por për sa kohë zgjat? E vërteta tronditëse pas barnave të reja kundër obezitetit!

Barnat e reja për humbje peshe, të bazuara në substanca si semaglutide dhe tirzepatide, janë përshëndetur si një revolucion në luftën kundër obezitetit.

Ato ulin oreksin dhe e ndihmojnë trupin të ndiejë ngopje më shpejt, duke sjellë rezultate të dukshme në një kohë relativisht të shkurtër. Por studimet e fundit po ngrenë një alarm serioz.

Sipas një analize të publikuar në British Medical Journal, shumica e pacientëve që ndërpresin trajtimin rifitojnë peshën e humbur brenda rreth një viti e gjysmë.

Në shumë raste, kilogramët kthehen edhe më shumë se më parë, një proces që ekspertët e quajnë “efekti rebound”.

Shkaku lidhet me mënyrën se si reagon organizmi sapo ndërpritet mjekimi. Trupi rikthehet gradualisht te ritmet e zakonshme të oreksit dhe metabolizmit, duke neutralizuar përfitimet e arritura gjatë trajtimit.

Por problemi nuk ndalet vetëm te pesha. Me ndalimin e barnave, zhduken edhe përmirësimet shëndetësore që ishin fituar, përfshirë kontrollin e sheqerit në gjak, kolesterolit dhe presionit arterial.

Ekspertët paralajmërojnë se obeziteti nuk është një problem i përkohshëm, por një sëmundje kronike.

Për shumë persona, ruajtja e rezultateve kërkon trajtim afatgjatë, i kombinuar domosdoshmërisht me ndryshime të qëndrueshme në stilin e jetës, si ushqyerje e balancuar dhe aktivitet fizik i rregullt.

Mes entuziazmit dhe realitetit shkencor, pyetja mbetet: a janë këto barna zgjidhja përfundimtare, apo thjesht një ndihmë e përkohshme?