Pas vdekjes së aktores legjendare franceze Brigitte Bardot në moshën 91-vjeçare më 28 dhjetor, këngëtarja Chappell Roan i bëri homazh publikut në Instagram, duke postuar një foto të Bardot dhe duke shkruar:
Prehu në paqe, zonja Bardot. Ajo ishte frymëzimi im për ‘Red Wine Supernova’.
Roan përmendi edhe ish-modelen në tekstin e këngës së saj hit, ku këndon për ndikimin e Bardot në jetën e saj artistike.
Megjithatë, një ditë më vonë, më 29 dhjetor, këngëtarja u rikthye në Instagram për të sqaruar pozicionin e saj, pasi mësoi për bindjet shumë të diskutueshme politike të Bardot.
Zot i madh, nuk i dija fare të gjitha ato gjëra të çmendura që zonja Bardot ka mbështetur. Natyrisht që nuk i aprovoj. Është shumë zhgënjyese ta mësosh këtë
-shkroi Roan.
Trashëgimia e Bardot si ikonë e kinemasë franceze është e ndërlidhur edhe me polemika.
Pas famës së saj me role si “And God Created Woman”, Bardot iu përkushtua aktivizmit, veçanërisht mbrojtjes së të drejtave të kafshëve. Por pikëpamjet e saj raciste dhe diskriminuese dolën shpesh në pah.
Ajo është gjobitur disa herë nga autoritetet franceze për nxitje të urrejtjes racore dhe ka kritikuar hapur komunitetin LGBTQ+ dhe lëvizjen #MeToo, duke i cilësuar si “hipokrite dhe qesharake”.
Reagimi i Chappell Roan vjen si një mesazh i qartë: ndonëse vlerëson ndikimin artistik të Bardot, nuk e aprovon kurrsesi trashëgiminë e saj politike dhe qëndrimet e diskutueshme.
Kjo ngjarje ka shkaktuar diskutime të gjera në rrjetet sociale për mënyrën se si duhen ndarë arritjet artistike nga bindjet personale e kontestuese të figurave publike.