Ikona e kinemasë franceze, Brigitte Bardot, u nda nga jeta më 28 dhjetor në shtëpinë e saj në Saint-Tropez, pas një beteje të gjatë me kancerin.
Lajmi u konfirmua nga bashkëshorti i saj, Bernard d’Ormale, i cili para funeralit të zhvilluar më 7 janar, ndau për revistën franceze Paris Match detaje tejet emocionale nga ditët dhe momentet e fundit të aktores legjendare.
Sipas tij, Bardot kishte kaluar dy ndërhyrje kirurgjikale për shkak të sëmundjes dhe ndërroi jetë pa dhimbje, e qetë dhe e rrethuar nga njerëzit dhe kafshët që donte më shumë.
Bernard rrëfeu se ajo ishte e lodhur nga vuajtjet dhe dëshironte të largohej në paqe.
Duke përshkruar çastet e fundit, bashkëshorti i saj kujtoi fjalën e fundit që ajo shqiptoi:
U ngrita kur dëgjova që ajo tha ‘Pioupiou’, ishte një nofkë e vogël që përdornim vetëm ne. Pas asaj fjale, gjithçka përfundoi
-tregoi ai me zë të dridhur.
Bernard foli edhe për përkushtimin e tij të përditshëm ndaj Brigitte Bardot, duke treguar se nuk iu nda asnjëherë.
Ai kujdesej për të që nga mëngjesi, duke i përgatitur ushqimet e saj të preferuara, deri pasditeve me çaj dhe kroasant, ndërsa infermieret e vizitonin çdo ditë për kujdes mjekësor.
Funerali i aktores në Saint-Tropez mblodhi qindra admirues, të cilët u mblodhën për të nderuar jetën, bukurinë dhe karrierën e një prej figurave më ikonike të kinemasë franceze. Brigitte Bardot u përcoll për në banesën e fundit në Kishën Katolike Notre-Dame-de-l’Assomption, me pamje nga Deti Mesdhe.
Fondacioni Brigitte Bardot, i krijuar prej saj për mbrojtjen e kafshëve, e përkujtoi si një grua të jashtëzakonshme që ia kushtoi jetën luftës për të drejtat e kafshëve.
Trashëgimia e saj, si në art ashtu edhe në humanizëm, pritet të vazhdojë përmes veprës së fondacionit që mban emrin e saj.