Sport

Bayern nis përgatitjet për sezonin e ri, Kompany merr frenat në dorë!

Lojtarët e Bajernit kanë pasur mbi tri javë pushime pas eliminimit në Kupën e Botës për Klube dhe tashmë nisin përgatitjet për sezonin e ri këtë të hënë. Me përjashtim të lojtarëve të dëmtuar, Jamal Musiala, Alfonso Dejvis dhe Hiroki Ito, trajneri Vinsent Kompani mund të punojë me të gjithë skuadrën aktuale; të gjithë pritet të jenë kthyer nga pushimet në gjendje të mirë fizike. Luis Diaz, transferimi i të cilit nga Liverpuli drejt Mynihut tashmë është më shumë se sa thjesht një përfolje, nuk do të jetë ende pjesë e grupit. Xhonatan Tah dhe Tom Bishof nuk konsiderohen më afrime të reja pasi morën pjesë në Kupën e Botës për Klube, ndërsa huazimet Pol Uaner (Hajdenhajm) dhe Lovro Zvonarek (Shturm Graz) janë pjesë e skuadrës derisa të ketë ndryshime. Periudha e përgatitjeve deri më 16 gusht është e shkurtër, më pak se tri javë, datë në të cilën do të zhvillohet edhe Superkupa “Franc Bekenbauer” në Shtutgart kundër Shtutgartit — trofeu i parë i sezonit.

Për shkak të kohës së kufizuar, Bajerni nuk do të zhvillojë kamp stërvitor, madje as në liqenin e afërt Tegernze. Në vend të kësaj, Kompani do të ketë mundësi të punojë në detaje mbi taktikën dhe formën e skuadrës së tij në tre miqësore kundër ekipeve elitare të huaja, dy prej të cilave do të zhvillohen në “Alianz Arena”.

E para do jetë të shtunën e ardhshme kundër Olimpik Lionit (ora 15:30). Herri Kejn do të ritakohet me miqtë e vjetër të Totenhemit, të cilët do të udhëtojnë drejt Mynihut më 7 gusht. Për miqësoren e tretë dhe të fundit, Bajerni do të udhëtojë në Zvicër më 12 gusht, ku do të luajë kundër Grasshoper Zyrih në stadiumin Letzigrund. Skuadra përfundimtare, me të cilën Kompani shpreson të luftojë për tre trofe, do të finalizohet në mënyrë përfundimtare deri në afatin e merkatos më 1 shtator.