Vendet e Bashkimit Europian sot ranë dakord për miratimin e një pakete të re sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, si dhe për uljen e çmimit tavan për eksportet e naftës ruse. Paketa e 18-të e ndëshkimeve ekonomike prej vitit 2022, u miratua kur Sllovakia hoqi dorë nga kundërshtimi disa javor, pas bisedimeve me Brukselin lidhur me planet për t’i hequr gradualisht importet e gazit rus.
BE-ja sapo miratoi një nga paketat më të forta të sanksioneve kundër Rusisë deri tani, tha shefja e politikës së jashtme të Unionit, Kaja Kallas. Çdo sanksion dobëson aftësinë e Rusisë për të bërë luftë. Mesazhi është i qartë: Europa nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën. BE-ja do të vazhdojë të rrisë presionin derisa Rusia të ndalojë luftën.
Kryeministri sllovak, Robert Fico, i njohur për qëndrimet proruse, hoqi dorë nga kundërshtimi pasi mori “garancitë” e kërkuara nga Brukseli në lidhje me çmimet e gazit, teksa blloku synon t’i ndërpresë plotësisht importet ruse deri në fund të vitit 2027.
Si pjesë të sanksioneve të reja që synojnë t’i dobësojnë financimet për luftën e Rusisë, diplomatët thanë se Bashkimi Europian ra dakord të ulë çmimin tavan për naftën ruse të eksportuar në vendet e treta, 15% nën vlerën e tregut. Kjo ndodh pavarësisht se aleatët e BE-së nuk arritën ta bindin presidentin amerikan, Donald Trump, ta mbështeste planin.
Tavani i çmimit është një nismë e G7-ës që synon ta kufizojë shumën e parave që Rusia fiton nga eksporti i naftës në vende si Kina e India. Çmimi tavan për naftën, i vendosur në 60 dollarë nga G7-a në vitin 2022, synon ta kufizojë tarifën me të cilën Moska mund të shesë naftë nëpër botë, duke ua ndaluar kompanive të transportit dhe atyre të sigurimeve që të merren me eksportet ruse mbi këtë shumë.
Sipas skemës së re të BE-së që pritet të mbështetet nga aleatë të G7-ës si Britania e Madhe e Kanadaja, niveli i ri do të nisë me 47.6 dollarë dhe mund të rregullohet në të ardhmen në përputhje me ndryshimet në çmimet e naftës. Gjithashtu, zyrtarët thanë se blloku do të vendosë në listën e zezë mbi 100 anije të tjera të të ashtuquajturës “flotë në hije”, që janë cisterna të vjetra të përdorura nga Rusia për t’i anashkaluar kufizimet për eksportin e naftës.