Udhëheqësit europianë mbështesin përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për ndalimin e luftës ruse dhe janë kundër ndryshimit të kufijve të Ukrainës. Në një deklaratë të përbashkët thuhet:
Ne jemi të gjithë të bashkuar në dëshirën tonë për një paqe të drejtë e të qëndrueshme, të merituar nga populli i Ukrainës. Ne e mbështesim fuqimisht qëndrimin e presidentit Trump që luftimet duhet të ndalen menjëherë dhe që vija aktuale e kontaktit duhet të jetë pika fillestare e negociatave. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimit që kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë.
Dokumenti u firmos edhe nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, krahas kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, kancelarit gjerman Friedrich Merz, presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministres italiane Giorgia Meloni, shefes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe të tjerë udhëheqëve europianë.
Aty deklarohet se “me taktikat zvarritëse dhe duke zgjedhur dhunën e shkatërrimin, presidenti rus, Vladimir Putin po tregon se e vetmja palë serioze për paqen është Ukraina”.
Prandaj, jemi të qartë se Ukraina duhet të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm, para, gjatë dhe pas çdo armëpushimi. Ne duhet të rrisim presionin mbi ekonominë dhe industrinë e mbrojtjes të Rusisë, derisa Putini të jetë gati të bëjë paqe. Ne po marrim masa për të përdorur vlerën e plotë të aseteve sovrane të palëvizura të Rusisë, në mënyrë që Ukraina të ketë burimet që i nevojiten.
Udhëheqësit do të takohen më vonë këtë javë në Këshillin Europian e në formatin e Koalicionit të Gatishmërisë për të diskutuar se si ta çojnë përpara këtë punë e të mbështesin më tej Ukrainën.