Bashkimi Europian e cilësoi sulm “terrorist” e akt “sabotimi” shpërthimin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, mbrëmë në veri të Kosovës e që rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë por për fat të mirë nuk pati të lënduar në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut. Autoritetet kosovare akuzuan Serbinë për sulm “sulm kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, e dënoi sulmin në një komunikatë për media sot pasdite.
BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer dje në kanalin ujor të Ibër-Lepencit në Zubin Potok në veri të Kosovës. Eshtë një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të vendit.
Borrell nënvizoi se ngjarja duhet të hetohet ndërsa autorët e sulmit të vihen para drejtësisë.
Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetjeje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme.
Të gjitha palëve iu bëri thirrje të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe theksoi se BE-ja do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër zhvillimet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për “sulm kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit. Serbia i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u shpreh se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, duke shtuar se “këtë e di edhe Prishtina”. Borrell gjithashtu konfirmoi se BE-ja u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të koordinojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu KFOR-in.
Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, sipas tij, gjithashtu po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij. Kurti njoftoi se disa të dyshuar janë arrestuar dhe se janë gjetur prova materiale në lidhje me shpërthimin. Priten më shumë detaje orët në vijim lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.