Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit, në Varagë të Zubin Potokut, Albin Kurti, përsëriti se ishte “sulm terrorist e kriminal” që dëmtoi rëndë prodhimin e energjisë elektrike e furnizimin me ujë në Kosovë. Duke folur nga vendngjarja dhe i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Zveçla, kryeministri njoftoi se deri tani është arritur të riparohet një pjesë e dëmit duke mundësuar më shumë se çerekun e prurjeve normale.
Policia e Kosovës kreu kontrolle e ka arrestime. Lajmin e konfirmoi kryeministri Kurti, i cili foli për dëshmi e prova materiale dhe shtoi se “kriminelët e terroristët” do të përballen me drejtësinë. Më tej, shprehu vendosmërinë e shtetit për të mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike.
Që në fillim, autoritetet e Kosovës akuzuan Serbinë dhe struktura kriminale të udhëhequra nga Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë e sulmit të shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Nuk dihet me saktësi se çfarë lënde plasëse u përdor mbrëmë në Zubin Potok por ministri Sveçla tha se bëhet fjalë për “eksploziv që nuk gjendet lehtësisht në tregun e zi”.
Serbia mohon përfshirjen në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke e dënuar shpërthimin si “të papranueshëm e të patolerueshëm”. Beogradi thekson se ky akt “në mënyrën më të drejtpërdrejtë” rrezikon nevojat themelore jetësore të popullit serb në Kosovë”. Edhe Lista Serbe e dënoi dëmtimin e kanalit të ujit.
I mbledhur pas mesnate, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, miratoi masa shtesë “për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike, si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale, etj”.
Nga sistemi i Ibër-Lepencit në Ujman, në Zubin Potok, furnizohet me ujë të pijshëm veriu i Kosovës, si edhe Prishtina me rrethinat. Ky hidrosistem furnizon edhe termocentralet në Obiliq e që përdoren për ftohjen e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B. Përveç kësaj, uji nga liqeni grumbullues i Ujmanit përdoret edhe për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore.
Kur u mësua lidhur me dëmtimin e kanalit, Kurti pati deklaruar se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike në orët e mëngjesit dhe disa qytete e një pjesë e Prishtinës mund të mos kishin ujë të pijshëm. Por më vonë, qeveria njoftoi se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit Prishtinë.
Kjo u bë e mundur kur rreth orës 02:00 pas mesnate u vunë gjashtë tuba të përkohshëm e me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”. Po ashtu, u vendos që autoritetet të bashkërendoheshin me Korporatën Energjetike të Shqipërisë, për të siguruar energji shtesë dhe shmangur reduktimet e mundshme.