Sot Belgjika është përfshirë nga një grevë kombëtare, pasi punonjësit e trafikut ajror e të hekurudhave u ngritën kundër planeve qeveritare për reformën e pensioneve. U anulua rreth 40% e fluturimeve që prekin Aeroportin e Brukselit, më i madhi i shtetit belg. Transportuesit e bagazheve, stafi i sigurisë, si dhe të tjerë pjesëtarë të personelit, ndërprenë punën.
Dy ditë më parë, kompania ajrore, Brussels Airlines deklaroi se paraprakisht është e detyruar të anulojë gjysmën e fluturimeve të saj brenda Europës, me qëllimin për t’i mbajtur në funksion linjat e largëta. Operatori i aeroportit Charleroi, që është një ndër qendrat kryesore europiane për linjën ajrore me kosto të ulët, Ryanair, u shpreh se priten vonesa të konsiderueshme, si dhe anulime të mundshme.
Edhe transporti hekurudhor e ka pësuar. Dy në tre trena që lidhin qytetet e mëdha, nuk funksionojnë. Shërbimi i tyre u ndërpre edhe në Bruksel. Greva mbarëkombëtare u thirr nga tri sindikatat kryesore të Belgjikës, për të protestuar kundër reformës në pensione e që mund të miratohet nga qeveria e ardhshme.
Partitë belge ende janë në bisedime për të formuar një administratë të re federale, pas zgjedhjeve që u mbajtën në qershor të vitit të kaluar. Pesë forca politike po negociojnë për të arritur një marrëveshje koalicioni. Ato planifikojnë që ta rrisin moshën e pensionit për punonjësit e hekurudhave dhe të tjerët, që tani lejohen të dalin në pension të parakohshëm, sipas sindikatës CSC. Sindikatat planifikojnë të mbajnë edhe një demonstratë në Bruksel, gjatë ditës.