Ben Affleck dhe Jennifer Garner, megjithëse të divorcuar prej vitesh, vazhdojnë të jenë në kontakt të rregullt për shkak të tre fëmijëve që kanë së bashku.
Së fundmi, dyshja u pa në aeroport gjatë mbërritjes së djalit të tyre më të vogël, Samuel, një dalje që ka rikthyer në vëmendje spekulimet për marrëdhënien mes tyre.
Sipas “Daily Mail”, atmosfera mes ish-bashkëshortëve dukej e tensionuar. Jennifer Garner shfaqej e përqendruar dhe serioze, ndërsa Ben Affleck, i fshehur pas syzeve të diellit, dukej nervoz dhe pinte një cigare. Dyshja nuk pati ndërveprim të dukshëm deri në momentin kur mbërriti djali i tyre.
Affleck dhe Garner ishin të martuar nga viti 2005 deri në 2018 dhe kanë tre fëmijë: Violet (19), Finn (16) dhe Samuel (13).
Të dy janë shprehur më parë se prindërimi është prioriteti i tyre, dhe pavarësisht divorcit, kanë ruajtur një marrëdhënie bashkëpunuese.
Ndihem me fat që Jennifer është nëna e fëmijëve të mi. Është shumë mirë të punosh me të
-ka deklaruar më herët Affleck.
Pas ndarjes, Affleck u martua me Jennifer Lopez, një lidhje që përfundoi së fundmi. Garner, ndërkohë, është në një lidhje me biznesmenin John Miller që nga viti 2018. Mediat raportojnë se Miller është zhvendosur përkohësisht tek Garner, pas një zjarri në shtëpinë e tij.
Megjithatë, spekulimet për një afrim të mundshëm mes Garner dhe Affleck nuk kanë munguar. Burime pranë aktores i kanë hedhur poshtë këto zëra, duke thënë se ajo është e lumtur në lidhjen e saj aktuale dhe se i vetmi kontakt që ka me Ben lidhet me prindërimin.
Fotot nga festimi i ditëlindjes së Samuelit nxitën më tej spekulimet, duke sjellë pakënaqësi edhe nga partneri i Garner. “Page Six” raportoi se John Miller nuk ishte i kënaqur me mënyrën se si ish-çifti u paraqit në publik, duke e konsideruar situatën si të paqartë dhe potencialisht të dëmshme për marrëdhënien e tij me aktoren.
Sipas burimeve, Miller i ka dhënë Garner-it një ultimatum për të shmangur situata të tilla në të ardhmen, në të kundërt marrëdhënia e tyre mund të vihet në pikëpyetje.