Futbollisti francez Benjamin Pavard dhe modelja kosovare Kleofina Pnishi vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e mediave me romancën e tyre gjithnjë e më të fortë.
Këtë herë, mbrojtësi i Marseille gjeti një mënyrë të veçantë për të shprehur dashurinë ndaj partneres së tij, duke nderuar njëkohësisht edhe prejardhjen e saj shqiptare.
Pas barazimit pa gola mes Olympique de Marseille dhe RC Lens, Pavard u pa duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare drejt tribunës, ku ndodhej Kleofina.
Modelja e filmoi momentin dhe e ndau me ndjekësit në Instagram, duke shkruar një mbishkrim plot emocion.
Ky gjest, tashmë i njohur si “përshëndetja e tyre e dashurisë”, është bërë traditë për çiftin. Edhe mes shokëve të skuadrës dhe zhurmës së stadiumit, Pavard nuk hoqi sytë nga Kleofina, duke e bërë momentin edhe më të ndjerë.
Nuk është hera e parë që kampioni i botës me Francën përdor simbolin shqiptar për të shprehur ndjenjat e tij.
Në shtator, ai festoi golin e parë me Marseille në të njëjtën mënyrë, një dedikim i hapur për Kleofinën që u kthye në kryelajm në mediat shqiptare.
Tashmë, shqiponja dykrenare është bërë jo vetëm simbol i dashurisë së tyre, por edhe një shenjë e respektit dhe krenarisë që Pavard ka për rrënjët e partneres së tij.