Rajoni

Beograd, 31 mijë persona në pritjen e studentëve protestues!

Sot protestohet në kryeqytetin serb, Beograd, me kërkesë të studentëve, të cilët kanë bllokuar universitetet në Serbi që prej tre muajsh e gjysmë. Ata kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 15 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur se dy persona janë arrestuar për prishje të rendit publik gjatë tubimit të mijëra njerëzve për të pritur studentët në Beograd, një natë më parë. Autoritetet kanë raportuar se një numër traktorësh janë dëmtuar në afërsi të Parkut të Pionierit.

Në pikun e organizimit në të gjitha lokacionet e qytetit, numri total i personave që janë mbledhur nga të gjitha pjesët e Serbisë dhe i atyre që i kanë mirëpritur në Beograd, ka qenë rreth 31 mijë, referuar vlerësimeve të policisë. Nuk ka pasur incidente të mëdha dhe Ministria e Brendshme iu bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të vazhdojnë të protestojnë në mënyrë paqësore, vihet në dukje në deklaratë.

Përfaqësues të këtij dikasteri kanë thënë se do të bëjnë gjithçka për të ruajtur rendin, jetën dhe pronën publike në Serbi. Studentët kanë bërë thirrje që të mbahet një protestë paqësore. Qytetarëve që do të marrin pjesë në këtë organizim iu kërkuan, që të mos përfshihen në konflikte fizike apo verbale.

Ju lutemi, ndiqni udhëzimet e kujdestarëve tanë! Mos dilni jashtë zonës së përcaktuar për tubim dhe tregoni kujdes ndaj punimeve nëpër rrugë, u tha në një postim të studentëve në Instagram.

Prej orëve të para të mëngjesit, ata u mblodhën në pesë pjesë të ndryshme në Beogradit dhe më pas u nisën në drejtim të Kuvendit të Serbisë për të zhvilluar manifestimin kryesor. Protesta pritet të nisë zyrtarisht në orën 16:00, ndërsa në orën 17:00 do të bëhet leximi i kërkesave që kanë.

Shumë persona janë parë mbrëmë duke mbajtur pankarta me mbishkrimin: “Studentë, Beogradi është i juaji”, teksa i kanë pritur ata në kryeqytet, me medalje e me lule po ashtu.