Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me Departamentin e Çështjeve Sociale të PD-së, ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të cilën e etiketoi si “Lubi Balluku”.
Në fjalën e tij, Berisha pretendoi se gjatë kohës së drejtimit të saj janë administruar rreth 12 miliardë euro fonde publike, nga të cilat, sipas tij, vetëm një pjesë e vogël është përdorur për investime reale.
“Nga 12 miliardë euro të disponuara, vetëm rreth 1 miliard janë investuar, ndërsa pjesa tjetër është zhdukur,” deklaroi ai.
Berisha ngriti shqetësimin se Shqipëria mund të jetë ndër rastet e rralla ku, sipas tij, investimet publike zhduken në përmasa të mëdha, duke akuzuar zyrtarë të lartë për përvetësim të fondeve.
Një nga çështjet kryesore që ai përmendi ishte ajo e inceneratorit të Tiranës, të cilin e cilësoi si “gropën më të zezë” në historinë e financave publike të vendit. Sipas tij, rreth 130 milionë euro janë zhdukur pa lënë gjurmë, ndërsa projekti nuk ka avancuar realisht në terren.
Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për përzgjedhjen e kompanive përfituese dhe për shpërdorim të fondeve publike, duke pretenduar se paratë janë transferuar në llogari offshore.
Berisha deklaroi se fenomeni i abuzimit me fondet nuk kufizohet vetëm te një projekt, por sipas tij përfshin qindra miliona dhe miliarda euro në vepra të tjera publike. Ai shtoi se, ndërkohë që fondet keqpërdoren, qytetarët përballen me vështirësi ekonomike në rritje.
Në fokus të kritikave të tij ishte edhe situata sociale, ku ai theksoi se pensionistët kanë vështirësi në përballimin e kostove të ilaçeve dhe shërbimeve shëndetësore. Sipas Berishës, një pjesë e madhe e qytetarëve paguajnë nga xhepi për kujdesin shëndetësor më shumë se në vendet e tjera të Evropës.
Ai akuzoi qeverinë për përdorim të ndihmave financiare si mjet elektoral, ndërsa pretendoi se pasuritë e zyrtarëve publikë janë rritur ndjeshëm.