Politikë

Berisha apel intelektualëve: Konformizmi me këtë regjim, gabim i pafalshëm! Protesta e radhës më 12 mars, ora 10:00!

Kryetari i PD, Sali Berisha, ishte i pranishëm në foltoren e radhës, organizuar këtë të hënë, ku u bëri thirrje intelektualëve të vendit, që të mos bëhen konformistë me regjimin.
Berisha tha se sot, deputetët e partisë së krimit me në krye kreun e organizatës kriminale, Edi Rama, njoftuan atë, të cilën e priste dhe e dinte çdo shqiptar se ata do përdorin si mburojë “Lubi” Ballukun për vjedhjet që ka bërë Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të organizatës kriminale.

“Ky është akti më i rëndë, më sfidant, më poshtërues, më fyes për çdo qytetar shqiptar. Në këtë kuadër unë kam një thirrje të veçantë, në radhë të parë për çdo intelektual shqiptar, të dalë nga guaska e konformizmit të tij. Të mos harrojë kurrë se ai investim i madh që kanë bërë shqiptarët për shkollimin e tij, që kanë bërë prindërit e tij për shkollimin e tij, ka qenë para së gjithash dhe mbi të gjithë që ai të jetë, pavarësisht nga profesioni, të jetë një avokat i pamposhtur i interesave të kombit të tij, i interesave të shoqërisë së tij, i interesave të publikut.
U drejtohem me këtë rast dhjetëra mijëra mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, ekonomistëve, juristëve të këtij vendi, konformizmi me këtë regjim është mëkati më i madh i jetës.
Nënshtrimi ndaj këtij regjimi është një gabim i pafalshëm. Asnjë njeri nuk duhet dhe nuk mundet të konformohet dhe të pajtohet me këto që ndodh”, tha Berisha.

Kreu i PD Sali Berisha ka zbuluar se protesta e radhës e PD, e planifikuar për datën 12 mars do të zhvillohet në orën 10:00.

Ai bëri thirrje për të gjithë shqiptarët që të mblidhen para Parlamentit, ku brenda tij në atë moment do të jetë seanca ku do të votohet për heqjen e imunitetit të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK kërkon arrestimin.

“Më 12 mars të gjithë shqiptarët para Parlamentit, është dita e përmbysjes së madhe të narkoregjimit. Në orën 10 e gjithë Shqipëria te Parlamenti”, u shpreh Berisha.