Në mbledhjen me aleatët e Federatës së Bashkuar, Sali Berisha, theksoi rëndësinë e bashkimit të forcave opozitare për të përballuar regjimin aktual. Kryetari demokrat foli për një koalicion të gjerë, që synon të sfidojë Edi Ramën dhe qeverinë e tij, duke e akuzuar për “krijimin e një narkoshteti” dhe “udhëheqjen e një organizate kriminale”.
Berisha vuri në dukje se mbledhja me aleatët ishte një “hap kyç në konsolidimin e opozitës”. Ndërkaq, ai ftoi të gjitha partitë opozitare të lënë mënjanë dallimet e brendshme e “të bashkohen, për të sjellë një ndryshim të vërtetë”. Situatën e përshkroi si “mundësinëe vetme për të sjellë drejtësi” e për “të rikthyer demokracinë në vend”. Berisha u shpreh:
Ky takim dhe kjo mbledhje është shumë e rëndësishme për konsolidimin e mëtejshëm të frontit opozitar kundër kësaj të keqeje të pakrahasueshme me ndonjë të keqe tjetër që nga diktatura hoxhiste, gjer sot. Bashkimi i të gjithë potencialeve opozitare kundër Edi Ramës, kundër Rilindjes që sot është sinonim i krimit. Dhe në fakt, një pushtet që përzë nga vatrat e tyre 40-45 përqind të popullit në 10 vite, është më i keqi që ky popull ka njohur në historinë e tij.
Koha është për një front sa më të gjerë opozitar, ndaj dhe unë ftoj të gjitha forcat politike që e ndjejnë veten opozitë, e konsiderojnë veten opozitë, pavarësisht nga çdo kundërshti që mund të kenë njëri me tjetrin, të bashkohen në këtë front, për t’u përballur me sukses me këtë të keqe që kemi përpara. Ky bashkim ka një rëndësi vendimtare.
Ka prej tyre që kanë shumë vërejtje për këtë forcë apo atë forcë, kanë vërejtje për PD-në, normale janë këto, por problemi është se nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit, për t’u përballur me këtë të keqe që kemi përpara. Dhe të gjitha variantet e tjera, vetëm sa pjesëtojnë fuqinë e opozitës.