Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte sot në takimin përmbyllës të fushatës në qytetin e Beratit, ku përcolli mesazhin se 11 Maji është për t’u ndarë nga e keqja e madhe e 12 viteve të fundit.
Berisha tha ndër të tjera se në Shqipëri janë lajmet më të zymta nga të gjitha vendet që nuk janë në luftë, ku ka më tepër vdekje se lindje.
LEXO EDHE: Berisha nga Burreli: Pension 200 euro, rrogë minimale 500 euro, ulje e çmimit të energjisë…
Pjesë nga fjala e Berishës në Berat:
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Beratit, Kuçovë, Skraparit, Dimalit, të të gjithë këtij qarku, në këtë shesh, kudo që jeni në Berat, në Shqipëri dhe në diasporë.
Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për mbështetjen tuaj, për energjinë, entuziazmin, optimizmin që ju i dhatë kësaj fushate.
Për shpresën që mbollët çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë anembanë Beratit.
Për optimizmin tuaj, besimin e madh tek fitorja e thellë e 11 Majit, fitorja juaj, fitorja e çdo qytetari shqiptar, fitorja e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.
Miqtë e mi, e diela është nesër.
Në duart tona është më afër se kurrë, më e sigurt se kurrë, fitorja e shumëpritur, fitorja e merituar. Fitorja e çdo opozitari dhe çdo shqiptari që ndjen në dejet e tij gjak shqiptari.
Me 11 Maj qytetarët e Beratit dhe mbarë Shqipërisë ftohen në vendimin e tyre historik, në vendimin e tyre ndoshta vendimin më të rëndësishëm të jetës së tyre, për t’u ndarë me një të keqe të madhe, që në mënyrën më të pamerituar i varfëroi ata nga viti në vit, 12 vite me radhë.
Që në mënyrën më të pamerituar dhe jashtë çdo imagjinate, la klasat e shkollave tona pa nxënës. Shtëpitë pa fëmijë, djepet bosh, të moshuarit në vetmi të thellë dhe të frikshme.
Asnjë shqiptar, kurrë nuk mund të imagjinonte një Shqipëri të tillë në vite lirie. Po kjo Shqipëri sot është një realitet.
Është një realitet, sirenat e të cilit bien për çdo shqiptar, ta shpëtojmë këtë vend, ta ndalim këtë të keqe me vetëdijen tonë, me përgjegjësinë tonë, me atdhetarinë tonë si shqiptarë.
Miq, vetëm javët e fundit po të marrësh lajmet janë aq të trishta, aq të zymta për ne si komb, më të zymta se për çdo komb tjetër që nuk është në luftë.
Njoftohet se ne sot kemi lindshmërinë më të ulët në botë për shkak të emigracionit.
Njoftohet se ne, prej kaq vitesh, kemi shumë më tepër vdekje se sa lindje.
Dje isha në Mat, një rreth i madh, jo i vogël, një rreth me pasuri përrallore, 13 lindje kishte pasur në një vit.
Imagjinoni. Kjo kudo. Një boshatisje. Një zbrazje.
Ndaj dhe 11 Maji nuk është një ditë për partitë, është një ditë për çdo qytetar që pranon përgjegjësinë që ka ndaj vetes së tij, familjes së tij, ndaj Berastit dhe Shqipërisë.
Pra pranon përgjegjësinë qytetare, pranon përgjegjësinë kombëtare.
Kështu që unë kam besimin më të madh se shqiptarët presin me padurim këtë ditë për të qenë në lartësinë, në orën e mençurisë së tyre, në orën e dashurisë së tyre për familjen, për Beratin dhe kombin.