Për Sali Berishën, rritja e çmimit të karburanteve “është spekulim i madh në Shqipëri” se sipas kryetarit demokrat, “mbi litrin e naftës, qeveria shqiptare vë taksën 1.1 euro, si asnjë vend tjetër”.
Sot në bashkëbisedimin me qytetarët, Berisha paraqiti qëndrimin e opozitës dhe masat që duhet të ndërmerren për uljen e çmimeve, përfshirë nivelimin e taksave me vendet e rajonit si Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Zotimi ynë është dhe ka qenë i prerë, që në territorin e Republikës së Shqipërisë, nuk mund të shitet një litër naftë më shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë. Kjo do të thotë se ne do të barazonim taksat me këto dy vende dhe pastaj gjithçka tjetër do të goditej me dorë të hekurt, si spekulim.
Maqedonia e Veriut e Kosova nuk kanë asnjë pëllëmbë det. Naftën e marrin nga Durrësi apo Selaniku dhe e shesin rreth 70% nën çmimin e Shqipërisë. Kështu që duke niveluar taksat me to, ne i hapim rrugën një çmimi të barabartë me të dy vendet.
Berisha foli edhe për protestën e nesërme në Tiranë, duke iu referuar si “kryengritja më e fuqishme paqësore” e siç tha “do të jetë mesazhi më i fuqishëm, që shqiptarët i dërgojnë regjimit të Edi Ramës”. Po ashtu, vlerësoi qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar, në mbështetje të shtetit ligjor në Shqipëri.
Deklaratat e bëra në kuadrin e komunitetit ndërkombëtar, kanë qenë një mbështetje e hapur për shtetin ligjor, dënimin e korrupsionit, denoncimin e vendimeve të Edi Ramës për të bllokuar Prokurorinë e Posaçme.
Në qëndrimin e tij, Komisioni Europian veçoi Shqipërinë nga Mali i Zi. Malin e Zi e votoi për kalimin e kapitullit me vlerësime shumë pozitive, ndërsa Shqipëria mbeti në klasë.
Pra, mund të them se komuniteti ndërkombëtar ka mbajtur qëndrime kundër grushtit të shtetit që po bën Edi Rama me bllokimin e drejtësisë e në mbështetje të funksionimit të shtetit ligjor, në mbështetje të Kushtetutës dhe në mbështetje të kërkesave të opozitës shqiptare, që janë në këtë linjë.