Rajoni

Bërnabiç: Seanca për zgjedhjen e qeverisë së re të Serbisë mbahet më 14 prill

Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiç njoftoi se më 14 prill do të mbahet një seancë për votimin e qeverisë së re të vendit, duke theksuar se “deputetëve u takon t’ia japin një shans” të mandatuarit Gjuro Macut.

Shpresoj që seanca të mund të nisë të hënën, sepse duhet ta përfundojmë këtë proces deri më 18 prill në mesnatë. Pra, emrat e ministrave dhe përbërjes do t’i dimë atëherë, por kjo varet para së gjithash nga i mandatuari.

Bërnabiç u shpreh se i ka ftuar përfaqësuesit e opozitës parlamentare për bisedime, në mënyrë “që t’ia japim një shans profesorit Macut”. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e mandatoi javë më parë endokrinologun dhe profesorin e Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Gjuro Macut, për formimin e Qeverisë së re. Më herët, Vuçiç kishte zhvilluar konsultime me partitë parlamentare.

Ato opozitare refuzuan të marrin pjesë në konsultime. Opozita kishte propozuar formimin e një qeverie kalimtare, gjë që koalicioni në pushtet e refuzon. Qeveria serbe ka mandat teknik që nga 19 marsi kur deputetët në Kuvend miratuan dorëheqjen e Millosh Vuçeviçit nga posti i kryeministrit. Nga këtu vijoi afati 30-ditor për zgjedhjen e qeverisë së re.

Vuçeviç kishte dhënë dorëheqje një muaj e gjysmë më parë, pasi aktivistët e Partisë Përparimtare Serbe, në pushtet dhunuan një grup studentësh që po bllokonin punën e fakultetit në Novi Sad. Rënia e qeverisë së Serbisë, të udhëhequr nga Vuçeviç ka ndodhur në kulmin e protestave kundër regjimit, të udhëhequra nga studentët të cilët që nga fundi i nëntorit 2024 kanë bllokuar dhjetëra fakultete në mbarë Serbinë.

Në qendër të kërkesave të tyre, që i kanë parashtruar para institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.