Biopsia e mëlçisë është një procedurë për marrjen e mostrës së indit nga mëlçia, të cilën një patolog do ta studiojë nën një mikroskop. Analiza e mostrës mund të zbulojë informacione për gjendjen e mëlçisë që shpesh është shpëtimtare për jetën e njeriut. Biopsia e mëlçisë është një procedurë joinvazive për marrjen e një kampioni të vogël të indit nga mëlçia me një gjilpërë me zgavër. Profesionistët e kujdesit shëndetësor mund ta kryejnë atë në disa mënyra, në varësi të gjendjes së pacientit dhe arsyes së biopsisë.
Pas procedurës së marrjes së mostrave, patologu analizon mostrën e indeve në një laborator për të ndihmuar në diagnostikimin dhe përcaktimin e fazës së sëmundjeve të ndryshme të mëlçisë ose të një organi tjetër. Arsyet për një biopsi të mëlçisë janë kryesisht diagnostike. Biopsia e mëlçisë është provuar të jetë standardi i artë për diagnostikimin e shumë sëmundjeve dhe kontrollin e lezioneve të mëlçisë që testet e tjera mund të sugjerojnë, por nuk mund t’i konfirmojnë. Biopsi mund të konfirmojë ose refuzojë përfundimisht dyshimet për sëmundje të ndryshme. Dhe ndonjëherë kjo është e vetmja mënyrë.
Gjithashtu, mund të jetë e nevojshme të kryhet një biopsi e mëlçisë për të vlerësuar nëse dhe si po përparon një sëmundje kronike e mëlçisë. Kjo metodë mund të përcaktojë nivelin e fibrozës (formimit të indeve mbresore) në mëlçi dhe të ofrojë një vlerësim të ashpërsisë, përkatësisht stadit të dëmtimit. Kjo ndihmon në parashikimin e prognozës, informimin më të mirë të pacientit për planin e trajtimit dhe vlerësimin më të saktë nëse metoda e zgjedhur e trajtimit po funksionon.
Biopsia e mëlçisë mund të ndihmojë në diagnostikimin e disa gjendjeve të mëlçisë, si mëlçia e yndyrshme, hepatiti kronik, cirroza e mëlçisë, kanceri i mëlçisë. Gjithashtu mund të tregojë shkaktarë të veçantë apo lloje të caktuara të sëmundjeve të mëlçisë, si sëmundja alkoolike e mëlçisë, hepatiti autoimun, sëmundja e grumbullimit të glikogjenit, hemokromatoza, karcinoma hepatocelulare, limfoma Hodgkin, kancer metastatik (që është shpërndarë nga një organ tjetër), sëmundja jo-alkoolike e mëlçisë së yndyrshme, limfoma jo-Hodgkin, kolangiti biliar primar, kolangiti sklerozues primar, hepatiti toksik, tuberkulozi, sëmundja e Wilson-it, hepatiti viral (B apo C).
Ekzistojnë tri lloje të procedurave të biopsisë së mëlçisë ;Biopsia perkutane (nëpërmjet lëkurës) më pak invazive; biopsia transvenoze (transjugulare) përdoret kur pacienti ka çrregullime të koagulimit ose sasi të tepërt të lëngjeve në bark; biopsia kirurgjikale realizohet gjatë një operacioni tjetër abdominal. Në varësi të llojit të procedurës dhe gjendjes së pacientit, merret vendimi për përdorimin e anestezisë apo të qetësuesve. Për të përcaktuar me saktësi vendin ku do të merret mostër, mjeku përdor ultrazë apo kontrollon me palpim.
Bëhet një prerje e vogël në anën e djathtë të pjesës së poshtme të kraharorit dhe futet gjilpëra për biopsi. Gjatë marrjes së mostrës, pacienti do të kërkohet të ndalojë frymëmarrjen për një moment. Procedura perkutane zgjat rreth 15 deri në 30 minuta, ndërsa ajo transvenoze 30 deri në 60 minuta. Pas ndërhyrjes, pacienti qëndron në spital nën vëzhgim për disa orë. Shkalla më e lartë e dhimbjes zakonisht ndodh gjatë aplikimit të anestetikut lokal, i cili mpin vendin ku do të futet gjilpëra.