Bota

Bisedime rreth sigurisë, kryediplomati polak në Kiev!

Ministri i Jashtëm i Polonisë po qëndron në Kiev për bisedime rreth sigurisë, disa ditë pasi në hapësirën ajrore polake hynë dronë rusë, ngjarje që nxiti shqetësime se pushtimi rus i Ukrainës mund të përhapet në shtete të tjera. Kryediplomati ukrainas, Andriy Sybiha, publikoi foto të takimit me homologun polak, Radoslaw Sikorski, në një stacion treni në Kiev.

Në kuadër të përshkallëzimit të terrorit të Rusisë kundër Ukrainës dhe provokimeve kundër Polonisë, ne qëndrojmë të bashkuar, shkroi Sybiha në rrjetet sociale. Do të zhvillojmë bisedime të rëndësishme për sigurinë tonë të përbashkët, anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian e NATO, si dhe për presionin ndaj Moskës.

Polonia dhe aleatët e saj të NATO-s rrëzuan dronë rusë që hynë në hapësirën ajrore polake të mërkurën, pra dy ditë më parë. Kjo ndodhi për herë të parë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 2022.

Moska zyrtare ka mohuar se ka shënjestruar Poloninë.