Bota

Dronët rusë mbi Poloni, vjen reagimi i parë nga Moska: Keni prova? Pretendimet tuaja janë të pabaza

I ngarkuari i përkohshëm me punë i Rusisë në Poloni mohon pretendimet se dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore polake.

“Ne besojmë se këto pretendime janë të pabaza. Nuk ka asnjë provë që këta dronë janë me origjinë ruse”, thotë Andrey Ordash për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti.

Ai gjithashtu i tha agjencisë se është thirrur nga ministria e jashtme polake në lidhje me këtë çështje.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, deklaroi në parlament se Polonia ka kërkuar zyrtarisht aktivizimin e Nenit 4 të traktatit të NATO-s, pas një incidenti serioz me dronë rusë që shkelën hapësirën ajrore polake.

Sipas Tusk, ky është një “provokim i paprecedentë dhe shumë më i rrezikshëm” sesa incidentet e mëparshme.

Aktivizimi i Nenit 4 i jep të drejtë një vendi anëtar të kërkojë konsultime urgjente me aleatët kur ndjen se territori, siguria ose pavarësia e tij politike është nën kërcënim.

 “Kjo nuk është vetëm një luftë për ukrainasit. Ky është një përballje që Rusia ka shpallur kundër të gjithë botës së lirë”, tha Tusk.

Ai shtoi se pret mbështetje të shtuar nga aleatët gjatë konsultimeve që priten të zhvillohen në Këshillin e Atlantikut të Veriut.