Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë duke mbajtur kontakte të vazhdueshme për rifillimin e bisedimeve mbi programin bërthamor të Teheranit, por ende nuk kanë caktuar bisedime formale. Shtëpia e Bardhë njoftoi:
Uashingtoni është në komunikim të afërt me Iranin dhe ndërmjetësit e tij.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i tha transmetuesit shtetëror IRIB se diplomacia vazhdon dhe kontaktet po zhvillohen përmes kanaleve të ndryshme.
Nuk është bërë asnjë marrëveshje, rregullim apo bisedë për të nisur bisedimet e reja bërthamore. Irani po vlerëson se çfarë është më e mira për interesat kombëtare. Thashethemet se Teherani do të rikthehet në tryezën e bisedimeve nuk duhet të merren seriozisht.
Duke folur para dy ditëve në samitin e NATO-s në Hagë, presidenti Donald Trump, tha se Uashingtoni do të zhvillojë bisedime me Teheranin javën e ardhshme. Raundi i gjashtë i negociatave SHBA-Iran në Oman, i caktuar për më 15 qershor, u anulua pasi forcat izraelite kryen sulme mbi objektivat iraniane më 13 qershor.
Araqchi konfirmoi se sulmet e fundjavës së kaluar nga forcat amerikane shkaktuan dëme “të konsiderueshme” në infrastrukturën bërthamore të Iranit. Komentet erdhën pak orë pasi mbikëqyrësi kushtetues i Iranit, Këshilli i Gardës miratoi vendimin e Parlamentit për të pezulluar bashkëpunimin e Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
Për këtë ligj të miratuar një ditë më parë nga ligjvënësit me 221 vota pro dhe asnjë kundër do të vendosë përfundimisht Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare (SNSC). Teknikisht, SNSC drejtohet nga presidenti, por ashtu si të gjitha institucionet kyçe të shtetit, i përgjigjet udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khameneit.
Plani për ta detyruar qeverinë ta pezullojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore nuk ishte në kundërshtim me ligjin islamik dhe Kushtetutën pas shqyrtimit nga anëtarët e Këshillit të Gardës, u shpreh zëdhënësi i këshillit, Hadi Tahan Nazif, në një postim në X.
Izraeli kreu sulme të papara ndaj objekteve kyçe bërthamore e ushtarake të Iranit, si dhe zonave të banuara, më 13 qershor, në një luftë që mori jetën e shumë civilëve nga të dyja palët para se të përfundonte me një armëpushim të brishtë e të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, më 24 qershor.