Mbikëqyrësi Kushtetues i Iranit, Këshilli i Gardës, miratoi vendimin e Parlamentit për të pezulluar bashkëpunimin e Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), pasi objektet bërthamore të vendit u bombarduan gjatë fundjavës në konfliktin 12-ditor me Izraelin. Për këtë ligj të miratuar një ditë më parë nga ligjvënësit, me 221 vota pro e asnjë kundër, përfundimisht merr vendim Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare (SNSC), që teknikisht drejtohet nga presidenti. Por, ashtu si të gjitha institucionet kyçe të shtetit, i përgjigjet udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khameneit.
Plani për ta detyruar qeverinë ta pezullojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore nuk ishte në kundërshtim me ligjin islamik dhe Kushtetutën pas shqyrtimit nga anëtarët e Këshillit të Gardës, u shpreh zëdhënës i Këshillit, Hadi Tahan Nazif, në një postim në X.
Nga 13 qershori, Izraeli kreu sulme të forta ndaj objekteve kyçe bërthamore e ushtarake të Iranit, si dhe zonave të banuara, në një luftë që mori jetën e shumë civilëve nga të dyja palët, para se të përfundonte me një armëpushim të brishtë të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, më 24 qershor. Më 21-22 qershor, Amerika goditi tri objekte bërthamore në Fordo, Natanz e Isfahan.
Projektligji parashikon që pezullimi i bashkëpunimit të hiqet vetëm nëse sigurohet që objektet dhe shkencëtarët bërthamorë iranianë janë të mbrojtur dhe që e drejta e Iranit për të pasuruar uranium brenda vendit të garantohet. Ndër shënjestrat e Izraelit gjatë sulmeve ndaj Iranit ishin edhe shkencëtarë të përfshirë në programin bërthamor iranian. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor dhe se nuk ka për qëllim ta përdorë për të zhvilluar armë atomike.
Pezullimi i bashkëpunimit me IAEA-n nënkupton se Irani do t’i ndalojë inspektimet, raportimet dhe veprimtarinë mbikëqyrëse sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT). Para votimit, kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, kritikoi IAEA-n, duke thënë se dështoi “qoftë edhe të shtirej sikur e dënonte sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit” dhe e akuzoi për “shitjen e besueshmërisë së vet ndërkombëtare”.
Prej kohësh, Teherani akuzon IAEA-n për anshmëri e bashkëpunim me fuqitë perëndimore dhe Izraelin kundër Iranit. Kreu i IAEA-s, Rafael Grossi, prej vitesh ka shprehur shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit nga Irani në hetimet për objekte të vjetra, por të padeklaruara bërthamore.
Organizata për Energjinë Atomike e Iranit do të pezullojë bashkëpunimin me agjencinë deri sa të garantohet siguria e objekteve bërthamore dhe programi bërthamor paqësor i Iranit do të ecë përpara me një ritëm më të shpejtë, deklaroi Qalibaf në komentet që u pasuan nga thirrjet e ligjvënësve: “Vdekje Amerikës dhe Izraelit!”.