Bota

Bisedimet, pa rezultat! Dritarja për zgjatjen e marrëveshjes së grurit të Detit të Zi po zvogëlohet!

Kremlini deklaron se dritarja për të zgjatur marrëveshjen e grurit të Detit të Zi po zvogëlohet.

Gjatë një pronocimi për mediet, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se bisedimet mes palëve po vazhdojnë, por pa asnjë rezultat. Sipas Peskov, një pjesë e marrëveshjes në lidhje me interesat e Rusisë nuk po zbatohej.

“Pozicioni i Rusisë është i mirënjohur – marrëveshja u zgjat për dy muaj”- tha Peskov, duke shtuar se: “Kushtet e marrëveshjes që kanë të bëjnë me sektorin bujqësor të Rusisë nuk po përmbushen.”

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë gjithashtu se nuk ka marrë asnjë informacion në lidhje me një takim me Turqinë dhe Ukrainën për të diskutuar marrëveshjen e grurit të Detit të Zi, raporton agjencia e lajmeve TASS.

Sipas palës ukrainase, bisedimet mbi një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB-ja që lejon eksportin e sigurt të drithit ukrainas në Detin e Zi ishin planifikuar për nesër.

Rusia kërcënoi të ndërpresë marrëveshjen e eksportit të grurit me Ukrainën për shkak të pengesave perëndimore ndaj eksportit të ushqimit dhe plehrave ruse.

Gjatë një vizite në Turqi, më 7 prill, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se nëse Perëndimi nuk heq kufizimet bankare dhe të sigurisë, të cilat pengojnë eksportin e mallrave ruse, Rusia do të heqë dorë nga marrëveshja e korrikut 2022, sipas së cilës Ukraina ka eksportuar grurin e saj përmes porteve të Detit të Zi.