Blake Lively ka reaguar pas sfidës së pazakontë të avokatit të Justin Baldonit, i cili propozoi që dëshmia e saj të jepet drejtpërdrejt në Madison Square Garden, me të ardhurat që të shkojnë për viktimat e dhunës në familje.
Avokati Bryan Freedman i bëri këtë thirrje publike pas konfirmimit se Lively është e gatshme të dëshmojë nën betim në gjyqin për ngacmim seksual ndaj Baldonit, me të cilin ajo ka bashkëpunuar në filmin “It Ends With Us”.
Përmes përfaqësuesve të saj ligjorë, Lively theksoi se kjo është një çështje serioze dhe nuk e sheh si një mundësi për publicitet. Ndërkohë, Freedman e akuzon aktoren se po manipulon situatën dhe se ka përfshirë miqtë e saj të famshëm, si Ryan Reynolds dhe Taylor Swift, për të ndikuar opinionin publik.
Freedman deklaroi se “e vërteta do të dalë përmes dokumenteve dhe pamjeve reale” dhe e cilësoi Lively-n si “manipuluese”.
Të dy palët kanë ngritur padi të ndërsjella për shpifje dhe ngacmim, ndërsa ekipet ligjore janë në përpjekje për të bashkuar çështjet në një proces të vetëm. Çështja mbetet e hapur dhe po zhvillohet me ritme të shpejta.