Bota

Blinken në Seul, provokon Koreja e Veriut/Pheniani hodhi një raketë!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Koreja e Veriut testoi një raketë gjatë vizitës së tij në Seul, orët e fundit. Sipas Blinken-it, “ky veprim i Phenianit rikujton nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara, Koresë së Jugut e Japonisë, për t’iu kundërvënë Veriut”. Ushtria koreano-jugore informoi:

Rreth mesdite me orën lokale, vendi komunist hodhi një raketë balistike me rreze të mesme veprimi, që fluturoi mbi 1.100 kilometra në lindje para se të binte në det.

Disa orë pas këtij testimi, Blinken shtoi se krahas bashkëpunimit duhen ndarë në kohë reale të dhënat për raketat, si edhe të mbahen stërvitje ushtarake Amerikë-Kore e Jugut-Japoni.

Blinken paralajmëroi edhe kundër thellimit të raporteve mes Phenianit e Moskës.

Uashingtoni beson që Rusia po synon të ndajë hapësirën dhe teknologjinë e satelitëve me Korenë e Veriut, në këmbim të ndihmës për luftën në Ukrainë, ku më shumë se 1.000 ushtarë të Koresë së Veriut thuhet se janë vrarë apo plagosur.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili përfundon mandatin këtë muaj ka thelluar bashkëpunimin me Korenë e Jugut dhe Japoninë, pavarësisht mospajtimeve mes fqinjëve aziatikë. Si trazirat politike në Korenë e Jugut, ashtu edhe rikthimi në Shtëpinë e Bardhë i Donald Trump-it, kanë rritur pikëpyetjet nëse ky bashkëpunim do të vazhdojë.

Muajin e kaluar, ligjvënësit në Korenë e Jugut votuan për shkarkimin e presidentit Yoon Suk Yeol dhe e pezulluan nga detyra, pasi më 3 dhjetor shpalli gjendjen e luftës. Tani, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse do të shkarkohet.

Nëse Yoon largohet nga posti i presidentit, priten zgjedhje presidenciale dhe liberalët që mund të fitojnë kanë qenë kritikë të përpjekjeve të Yoon-it për partneritetin me Tokion. Blinken shtoi se Uashingtoni ka “shqetësime të thella” për veprimet e Yoon-it, por është i bindur se institucionet koreano-jugore do t’ia dalin.

Ndërkaq, lëshimi i raketës nga Pheniani ishte i pari që nga 5 nëntori i vitit të kaluar, kur hodhi të paktën shtatë raketa balistike me rreze të mesme veprimi. Ende nuk është e qartë se çfarë lloji rakete ka testuar Koreja e Veriut, por vitin e kaluar testoi një raketë që funksiononte me karburante të ngurta dhe Pheniani tha se ishte hipersonike, e prodhuar që të shmangë mbrojtjen kundërajrore.

Raketat me karburante të ngurta janë më të lehta e më të sigurta, nuk kanë nevojë për shumë mbështetje logjistike dhe më vështirë detektohen nga sistemet e mbrojtjes.