Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha se Ukraina ka siguruar SHBA-në, se nuk do të përdorin sisteme armësh të ofruara nga SHBA-ja “kundër objektivave në territorin rus”.
“Ekziston një lidhje e fortë besimi midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe me aleatët dhe partnerët tanë”, tha Blinken në një konferencë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Biden ka njoftuar se do t’i dërgojë Ukrainës sistemet raketore të artilerisë së lëvizshme prodhuar nga SHBA, të njohur ndryshe si HIMARS, e cila ka municione me një rreze që është më e shkurtër se ajo që kishte kërkuar Ukraina.
Blinken ka njoftuar se Presidenti Biden kishte qenë i qartë me presidentin rus Vladimir Putin për pasojat e pushtimit rus, duke përfshirë këtu dërgimin e ndihmës për sigurinë në Ukrainë.
“Nuk kishte asnjë fshehje të topit. Ne kemi qenë jashtëzakonisht të qartë për këtë që nga dita e parë, kur Presidenti Biden ia komunikoi atë drejtpërdrejt Presidentit Putin. Pra, ne kemi bërë pikërisht atë që kemi thënë se do të bëjmë”, tha ai.
Sipas BBC, këtë të mërkurë Blinken ka sqaruar se do të sigurohet që Ukraina të ketë pajisjet e nevojshme për të zmbrapsur agresionin rus. Njëkohësisht theksoi se SHBA do të vazhdojë të ofrojë ndihma mbrojtëse për Ukrainën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka deklaruar se lufta në Ukrainë “mund të përfundojë nesër” nëse Rusia vendos t’i japë fund agresionit të saj.
“Por ne nuk shohim asnjë shenjë për këtë tani”, shtoi më tej ai, sipas BBC.
Në vend të kësaj, Blinken tha se mund të ketë ende “shumë muaj konflikt” , ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj në lindje të Ukrainës.
Lufta në Ukrainë po vijon prej më shumë se tre muajsh, ndërsa përqëndrimi më i madh i sulmeve është në pjesën lindore të vendit.
Deri më tani shumë qytete janë shkatërruar totalisht për shkak të bombardimeve. Shumë ukrainas janë larguar nga vendi i tyre duke lënë pas gjithçka. Ajo që mbetet akoma më dramatike janë viktimat, të cilat po pësojnë rritje dita ditës.