Aktualitet Politikë

Braho: Lëvizjet e votave te kandidatët për shkak të gabimeve njerëzore!

Anëtari i Partisë Demokratike në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), Ledio Braho, në një prononcim për mediat foli lidhur me procesin e rinumërimit të votave në qarkun e Tiranës. Braho deklaroi se nga rinumërimi i deritanishëm, është vërejtur se partitë e mëdha kanë humbur vota dhe se ka pasur lëvizje edhe te kandidatët. Megjithatë, ai theksoi se janë rinumëruar më pak se 10% e kutive të votimit dhe është ende herët për të nxjerrë përfundime të plota.

Kur ka pasur vota të diskutueshme, janë zgjidhur me vendimmarrje të KAS, për të përcaktuar nëse ishin të vlefshme, të pavlefshme apo vota për kandidatët. Nuk ka asnjë arsye për të vënë në dyshim transparencën e këtij procesi. Procesi në Tiranë nuk ka qenë eksperimental, por kishte për qëllim transparencën, për të adresuar pretendimet e kandidatëve se votat e tyre ishin tjetërsuar, u shpreh Braho.

Ai shtoi se lëvizjet e votave te kandidatët kanë ardhur për shkak të gabimeve njerëzore nga grupet e numërimit dhe se deri më tani, parregullsitë e konstatuara janë të natyrës njerëzore. Braho foli dhe për hapjen e kutive në Gramsh dhe Peqin.

Nuk jemi ende në fazën e vlerësimit të provave. PD dhe PS kanë marrë në dispozicion procesverbalet e dalë nga kutitë. Janë konstatuar mospërputhje mes fletëve të gjetura dhe atyre të përdorura, si dhe fletë votimi pa vula. Këto janë çështje që duhen trajtuar me kujdes, edhe në lidhje me videot e publikuara nga qendrat e votimit, siç vuri në dukje.

Procesi i rinumërimit për qarkun e Tiranës vijon në Pallatin e Sportit “Fahrie Hoti”, ku sot zhvillohet dita e dytë e rinumërimit. Deri në orën 11:30 janë hapur 94 nga 1 mijë e 282 kuti votimi në total.