Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bëri të ditur se javën e ardhshme do të nisë procesi i rinumërimit të votave për qarqet e Tiranës dhe Fierit. Në një deklaratë për mediat, Celibashi tha se do të jenë gjithsej 610 mijë e 301 vota që do t’i nënshtrohen rinumërimit.
Sipas tij, procesi do të realizohet nga KQZ në aspektin teknik, ndërsa vendimmarrja për çdo element do të jetë në dorën e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS). Parashikojmë që rinumërimi të fillojë të hënën ose të martën e javës që vjen. Eshtë dashur pak më shumë se një javë për përgatitjen logjistike dhe njerëzore të procesit, deklaroi Celibashi. Infrastruktura dhe kapaciteti njerëzor janë tashmë gati, duke vlerësuar organizimin si një arritje në kohë rekord.
Rinumërimi do të zhvillohet në ambientet e pallatit të sportit “Farie Hoti” në Tiranë. Fillimisht, KQZ kishte planifikuar ta zhvillonte procesin në Parkun Olimpik, por kjo nuk ishte e mundur për shkak të një Kampionati Europian të Volejbollit. Celibashi garantoi transparencë dhe standarde të larta në të gjithë ecurinë e këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor.
KAS-i do të vendosë mbi çdo element të këtij procesi. KQZ-ja do të realizojë nga pikëpamja teknike këtë proces. Bëhet fjalë për rinumërimin e 610 mijë e 301 votave për të dyja qarqet, atë të Tiranë e të Fierit. Procesi, parashikojmë të fillojë të hënën ose të martën e javës që vjen. Janë dashur ditë për ta përgatitur, pra pak më shumë se një javë këtë proces, pasi kërkon një përgatitje logjistike dhe njerëzore.
Në kohë rekord bëmë gati të gjithë infrastrukturën dhe kapacitetin njerëzor për të filluar këtë proces. Procesi do të zhvillohet në ambientet e pallatit të sportit “Farie Hoti”. Kemi dashur që ta zhvillojmë këtë proces në ambientet e Parkut Olimpik, por aty është parashikuar të zhvillohet një Kampionat Europian i Volejbollit dhe qartazi kemi qenë të detyruar të shikonim një opsion tjetër.