Aktualitet

Braho për ‘Albanian Files’: Askush nuk është imun ndaj SPAK, por me një kusht…

Kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi se Prokuroria e Posaçme nuk mund të komentojë çështjen “Albanian Files”, pasi bëhet fjalë për një kallëzim penal konkret që është në proces hetimi.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho theksoi se SPAK vepron vetëm mbi bazën e provave dhe ftoi çdo person që disponon fakte t’i depozitojë ato pranë institucionit.

“Nuk flas në lidhje me këtë çështje, sepse është një kallëzim penal konkret. Kush ka prova për cilindo, është i ftuar t’i depozitojë në SPAK. Askush nuk është imun ndaj veprimeve procedurale të SPAK dhe këtë e them me bindje. Kushti është nevoja hetimore dhe prova për kryerjen e një vepre penale”, deklaroi Braho.

Duke u ndalur te lufta kundër pastrimit të parave, kreu i SPAK e cilësoi atë një nga prioritetet kryesore të institucionit.

“Pastrimi i parave është një veprimtari kriminale prioritare e SPAK-ut. Pastrimi i parasë dëmton ekonominë e ndershme dhe një sërë elementesh negative. Ky produkt është edhe në funksion të korrupsionit”, u shpreh ai.

I pyetur për rënien e euros, Braho tha se kjo nuk është një çështje që lidhet me kompetencat e SPAK-ut.

“Për euron, nuk ka lidhje kjo pyetje me SPAK”, tha ai.

Sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit, Braho u shpreh se institucioni ka nevojë jo vetëm për shtim të numrit të hetuesve, por edhe për zgjerim të funksioneve.

“BKH-së nuk i duhen vetëm më shumë hetues, por shtim të funksioneve të institucionit. Në vijim mund të ketë shtim të zyrave, por për momentin jo. Për konfiskimet, SPAK-u nuk ka kompetenca që të jetë palë pjesëmarrëse në fazën e ekzekutimit të veprave penale”, përfundoi kreu i SPAK.

Duke folur për krimin zgjedhor, Braho theksoi se fenomeni mbetet shqetësues për Prokurorinë e Posaçme, por nënvizoi se ngritja e akuzave mund të bëhet vetëm mbi bazën e provave.

“Për krimin zgjedhor kemi folur edhe më parë, është një fenomen që neve na shqetëson si prokurori dhe nuk pajtohemi me të. Ka nisur para shumë kohësh. Ajo që duhet të kuptoni është se duhen prova, ndryshe nuk ngremë dot akuza. Ne nuk nisemi me perceptime, por me ato që ka dosja. Në secilën anë të jenë të akuzuarit, do të mbajë përgjegjësi”, u shpreh Braho.

I pyetur për çështjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Ballukun, kreu i SPAK u shpreh se institucioni e ka bërë të qartë qëndrimin e tij në Kuvend dhe se nuk mund të komentojë më tej për një çështje që është në hetim.

“Për atë që kemi paraqitur në Kuvend, ne kemi qenë të qartë me qëndrimin tonë. Nuk mund të komentoj më shumë, mbase në vijim të hetimeve mund të ketë një vendimmarrje konkrete. Ne kemi diskutuar edhe me dyer të mbyllura qartë se çfarë kemi kërkuar”, deklaroi ai.

Sa i përket dosjes në lidhje me takimin e famshëm në Aruba, Braho garantoi se SPAK nuk lë pa vepruar asnjë provë që administrohet gjatë hetimeve dhe se të gjitha pretendimet për të kundërtën janë hamendësime.

“Nuk dua të ndalem te çështja konkrete, sepse është në hetim, por ajo që ju garantoj është se nuk mund të ndodhë që në SPAK të ketë një provë në një dosje dhe të lihet aty në gjumë. Këto që thuhen janë hamendësime. Në momentin e mbylljes së hetimeve mund të bëjmë transparencë mbi detaje të caktuara. Për SPAK-un janë të gjithë të barabartë para ligjit”, tha kreu i Prokurorisë së Posaçme.