Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva paralajmëroi administratën amerikane të Donald Trump se nëse vendos tarifa ndaj vendit të tij, do të hakmerret.
“Është shumë e thjeshtë: nëse ai takson produktet braziliane, ne do të hakmerremi”, tha Lula në një konferencë për shtyp në Brasilia. Ai shtoi se do të dëshironte të shihte respekt të ndërsjellë mes tij dhe Trump, sepse të dy janë liderë të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Lula da Silva u shfaq gjithashtu kritik ndaj vendimit të presidentit amerikan për të tërhequr SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, duke e quajtur atë një “kthim prapa për qytetërimin njerëzor”. “Natyrisht, unë mendoj se mosmbajtja e marrëveshjes së Parisit, duke thënë se nuk do t’i jepni para Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është një pengesë për qytetërimin njerëzor,” tha ai.
Megjithatë Lula pranoi se i ka dërguar një letër urimi Trump-it, por theksoi se nuk ka shans që të dy të takohen në të ardhmen e afërt.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të vendosë një tarifë 100 për qind ndaj çdo vendi anëtar në organizatën BRICS, e cila përpiqet të zëvendësojë dollarin amerikan në tregtinë ndërkombëtare.
Trump i referohej aleancës ekonomike të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, tani e zgjeruar duke përfshirë Iranin, Egjiptin, Etiopinë dhe Emiratat e Bashkuara Arabe.
“Ideja që vendet e BRICS-it po përpiqen të largohen nga dollari, derisa ne qëndrojmë pranë dhe vëzhgojmë, ka përfunduar”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Trump kërkoi që vendet e BRICS-it të angazhohen për përdorimin e dollarit si monedhë rezervë dhe të përmbahen nga krijimi i një monedhe të re ose alternativa mbështetëse.
“Ne kërkojmë një angazhim nga këto vende që ata as të mos krijojnë një monedhë të re BRICS, as të mos mbështesin ndonjë monedhë tjetër për të zëvendësuar dollarin e fuqishëm amerikan ose ata do të përballen me tarifa 100 për qind dhe duhet t’i thonë lamtumirë shitjes në ekonominë e mrekullueshme të SHBA-së”, tha Trump.
Në vitet e fundit, BRICS ka diskutuar ndryshimin nga dollari, me diskutimet që u intensifikuan pasi SHBA-ja vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2022 pas “operacionit special ushtarak” të saj në Ukrainë.