Sekretarja e Shtetit për Punët Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar është e bindur se skema që synon kalimet me anije të vogla nuk do të vonohet nga kundërshtimi i Europës.
Mbretëria e Bashkuar pret që Bashkimi Europian të miratojë marrëveshjen për kthimin e emigrantëve me Francën, tha Sekretarja e Shtetit për Punët e Brendshme Yvette Cooper, pasi Franca deklaroi se duhej të ratifikohej ligjërisht përpara se të vihej në veprim.
Yvette Cooper u shpreh se mendonte që Komisioni Europian do të miratonte skemën pilot, e cila do të përfshijë kthimin në Francë të disa njerëzve që kalojnë Kanalin La Manche me anije të vogla, në këmbim të zhvendosjes së disa azilkërkuesve nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar.
Skema, e cila u njoftua të enjten nga kryeministri britanik, Keir Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të shënonte herën e parë që Franca ka rënë dakord të marrë mbrapsht disa nga ata që kalojnë Kanalin La Manche. Por, shumë detaje të skemës mbeten të paqarta, siç është pyetja se sa do të kthehen e kur do të fillojë.
Cooper vuri në dukje se nuk priste që zbatimi të vonohej nga kundërshtimi i Europës, pavarësisht se vendet mesdhetare kanë shprehur shqetësim për perspektivat e azilkërkuesve të kthyer, që udhëtojnë përsëri në Europën Jugore.
Kemi folur me komisionerët e BE-së. Kemi folur gjithashtu me ministra të tjerë të brendshëm europianë dhe qeveri gjatë gjithë këtij procesi. Ministrja e brendshme franceze dhe unë kemi folur për këtë, për ta zhvilluar këtë plan, që nga tetori i vitit të kaluar dhe komisionerët e BE-së kanë qenë shumë mbështetës. Prandaj e kemi hartuar këtë në një mënyrë që të funksionojë, jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, por edhe për t’iu përshtatur të gjitha shqetësimeve të tyre.
E pyetur nëse ishte e bindur se do të miratohej nga BE-ja, deklaroi:
Meqenëse e kemi bërë këtë punë deri në fund, presim që komisioni i BE-së të vazhdojë të jetë mbështetës.
Megjithatë, nuk tregoi se çfarë qasjeje priste nga shtetet anëtare, përfshirë Spanjën, Italinë, Greqinë, Maltën dhe Qipron.
Starmer dhe Macron njoftuan projektin pilot në fund të një vizite shtetërore tre-ditore nga presidenti francez, e hartuar për të treguar një nivel të ri bashkëpunimi pas Brexit-it mes dy vendeve. Sipas skemës, zyrtarët britanikë do të zgjedhin një numër të caktuar të mbërritjeve për t’u kthyer në zona të Francës larg bregdetit verior, në këmbim të marrjes së azilkërkuesve që mund të tregojnë se kanë një lidhje familjare me Britaninë.
Ministrat shpresojnë se skema do t’i dekurajojë njerëzit që të kalojnë Kanalin, megjithëse nuk do të thonë se sa njerëz do të kthehen ose si do të përzgjidhen ata. As Cooper dhe as Starmer nuk i kanë mohuar raportet se projekti pilot fillimisht do të zbatohet vetëm për 50 persona në javë, rreth 6% të totalit mesatar javor.
Chris Philp, sekretari në hije për Punët e Brendshme i Mbretërisë së Bashkuar, tha:
Shifrat do të jenë të vogla. Ne do të lejojmë që 94% e emigrantëve të paligjshëm të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar, çka nuk përbën aspak pengesë.