Aktualitet

Bulmeti dhe mishi pa fatura, Rama publikon videon: 32 ton të sekuestruara në 6 ditë

Vijon papushim sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë, shkruan kryeministri Edi Rama, krahas një videoje ku duken produktet e sekuestruara ditët e fundit.

Prej disa ditësh, tatimorët kanë nisur aksionin për kontrollin e tregtimit të produkteve bujqësore me qëllim gjurmueshmërinë e mallrave për forcimin e sigurisë ushqimore. Ndërmarrja e aksionit parashikohet të zbatohet nëpërmjet disa fazave sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), ku përveç subjekteve në Tiranë, aksioni do të zhvendoset drejt rretheve dhe më pas te pikat e grumbullimit e përpunimit.

Gjatë këtyre ditëve, aksioni i tatimorëve është fokusuar në tregjet e mëdha të tregtimit të mallrave bujqësore dhe blegtorale, baxhot e thertoret në Tiranë. Në tre ditët e para të këtij aksioni, në kryeqytet u kontrolluan 87 subjekte dhe u sekuestruan 20 tonë mallra blegtorale që rezultuan se nuk tregtoheshin me faturë.